Evis Kushi gjatë seancës parlamentare foli për çështjen e inceneratorëve, duke u fokusuar në situatën e mëparshme të Elbasanit e cila e kishte domosdoshmëri ndërtimin e një impianti për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Ajo theksoi se nuk ishte vetëm Elbasani qyteti që vuante pasojat katastrofike të ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, ndaj dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve sipas Kushit shëroi plagën më të vjetër e më të dhimbshme në Elbasan. Kushi tha se djegiet e mbetjet urbane kanë qenë burimi kryesor i ndotjes së ajrit dhe ujit për shume vite, kjo ndoste edhe tokën, e më pas perimet dhe produktet e tjera bujqësore e blegtorale. Treguesit e ndotjes i tejkalonin normat e lejuara të BE-së dhe kjo nënvizohej edhe në Progres-Raportet e BE për Shqipërinë. Në atë kohë PS ishte minorancë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, nga 45, PS kishte vetëm 16 anëtarë, por situata ishte aq alarmante dhe të gjithë votuan pro, sepse ndërtimi i impiantit ishte zgjidhja e vetme dhe e shumëpritur nga të gjithë qytetaret.

Kushi nënvizoi se Elbasani, nga qyteti me ndotjen më të madhe në Shqipëri, u kthye në qytetin e impiantit të pare modern të trajtimit të mbetjeve, sepse ky impiant përveç zgjidhjes që i dha problemit serioz të mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve, nga trajtimi teknologjik i tyre përfitohet edhe energji e gjelbër. Kushi tha se nuk mbrojnë askënd që shkel ligjin, por nuk mund të lejojë të njolloset një vepër madhore për të cilën luftuan kaq shumë të gjithë bashkë dhe vetëm qeveria socialiste e beri realitet.