Kombëtarja shqiptare luan sonte në orën 19:45 një përballje miqësore tepër delikate kundër Spanjës në Katalonjë. Kuqezinjtë në gjithë historinë e tyre nuk kanë fituar asnjë prej 7 ndeshjeve me ‘La Roha-n’, ndërsa për të ndryshuar historinë Reja thotë se ka gati planin.

“Futbollin spanjoll e njoh dhe e vlerësoj shumë. Dua që kundër Spanjës të mos përsërisim atë që bëmë me Anglinë. E di që e zotërojnë shumë mirë topin, por në fund kjo nuk më intereson. Në fund dua rezultatin,”-u shpreh Edy Reja, trajner i kombëtares.

Pas pesë ditësh stërvitje trajneri Reja është bindur edhe për formacionin, duke zgjedhur të startojë me titullarët e përhershëm. Duke qenë se Hysaj është kapiteni, në portë është zgjedhur Thomas Strakosha, ndërsa treshen e mbrojtjes pritet ta përbëjnë Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla. Nga krahët përveç Hysajt do jetë edhe Ivan Balliu, një lojtar që e njeh mirë futbollin spanjoll, pasi aktivizohet në La Liga me Rayo Vallecano-n. Në mesfushë Bare dhe Laçi do mbështen nga Gjasula, i cili ka fituar balotazhin me Kristjan Asallanin, 20-vjeçarin e talentuar të Empolit.

Sakaq në sulm Armando Broja do të mbeshtet nga Sokol Cikalleshi. Ndeshja arbitrohet nga një katërshe arbitrash nga Malta, ndërsa përveç Spanjës, Shqipëria 3 ditë më pas do të ketë një tjetër miqësore kundër Gjeorgjisë.