Ndeshjet mes Juventusit dhe Napolit në mes të pandemisë, duket se nuk kanë fund ndonjëherë dhe janë kthyer në telenovela të mirëfillta. Organet disiplinore të federatës Italiane kanë nisur procedim zyrtarisht ndaj presidentit të napolitanëve, Aurelio De Laurentis si dhe mjekut të skuadrës. Këta të fundit lejuan të hynin në fushë futbollistë të cilët ishin ndaluar nga autoritet shëndetësore. Në ndeshjen e janarit mes dy skuadrave, në stadiumin e Torinos u shfaqën Lobotka, Rrahmani dhe Zielinski.

Të tre këta futbollistë ishin ndaluar nga autoritetet shëndetësore në Napoli që të linin karantinën pasi dyshoheshin tw infektuar. Por të tre morën pjesë në këtë ndeshje, pavarësisht protestave të torinezëve dhe prej javësh aludohej se do të kishte ndëshkim për Napolin.

Lojtarët duhej të qëndronin në karantinë deri më datë 9 janar, por ata ishin në ndeshjen e datës 6 janar në Torino, duke udhëtuar kundër të gjitha rregullave e për më tepër, edhe duke marrë pjesë në ndeshje. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të pësojë masë disiplinore individuale, pasi përgjegjësinë në këtë rast e mban titullari i klubit dhe mjeku i skuadrës që i ka lejuar të rrezikojnë shëndetin e pjesëtarëve të tjerë të Napolit apo kundërshtarëve.