Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell tha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama se: “Shqipëria dhe populli shqiptar është një nga popujt më të rëndësishëm që është qartësisht i vendosur për të qëndruar plotësisht në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në fund të fjalës sime zoti Kryeministër, ju folët për planin e investimeve ekonomike, i cili ka mobilizuar dhe do të vazhdojë të mobilizojë burime të paprecedenta për të mbështetur diversifikimin e furnizimit me energji, uljen e varësisë, por edhe ndërtimin e infrastrukturave, krijimin e vendeve të punës.

Dhe mbajta shënim vullnetin që ju shprehët për infrastrukturën, që do mundësojë ta hapë Shqipërinë në të gjithë hapësirën fizike të rajonit. Do ta ketë këtë vëmendje. Këto lloj nismash do të mund të trajtojnë pasojat e luftës me të cilat po përballemi në rajon e më tej”.

I pyetur nëse pritet të ofrojë mbështetje financiare për Shqipërinë në këto situate të krizës së çmimeve, Borrell tha se ai ka mbajtur shënim analizën dhe çdo gjë që i tha Kryeministri Rama.
Borrell theksoi se BE e mbështeti Shqipërinë gjatë situatës së Covid-it megjithëse me pak vonesë. Nga ana tjetër, sa i përket ndihmës për t’iu përgjigjur kësaj krize, ai tha se blloku po punon në këtë drejtim, por nuk mund të pritet që të zgjidhet i tërë problemi nga kjo ndihmë, duke qenë se situata ka prekur të gjithë shtetet dhe jo vetëm Shqipërinë.