Dashi

Marsi, sunduesi i Dashit, jep një personalitet pozitiv, agresiv dhe konkurrues. Takti zakonisht mungon kur Dashi është në ngritje për shkak të mënyrës së nxituar dhe agresive të këtij ndikimi. Me Dashin Ashendent, diplomacia në përgjithësi duhet të mësohet apo të fitohet nga faktorë të tjerë në hartë. Marsi është planeti i veprimit direkt dhe i energjisë së lartë. Ndikimi i tij në horoskopin tuaj sugjeron që vendosmëria e vërtetë ju bën të zbatoni mendimet në momentin kur ato janë formuar, pa shumë hezitim. Ju hidheni nga ideja në veprim, pa e kthyer kokën pas.

Demi

Demi në ngritje jep një personalitet të qëndrueshëm, të hirshëm dhe të harmonishëm, që e ka tokën (pronën) shumë përzemër. Natyra e Demit është e dashur, e palëkundur, dhe besnike. Jeni një individ me shumë nevoja jetësore: ushqim i mirë, seks i kënaqshëm, dhe një vend luksoz për të jetuar. Kau Ferdinand simbolizonte Demin; shumë i lumtur që qëndronte në livadh, u merrte aromë luleve dhe shijonte flladin e freskët veror. Ky personalitet është pasiv dhe i butë për sa kohë qe nuk ngacmohet. Kur një ditë provokohet, Demi bëhet kokëfortë dhe i ashpër, dhe mund të shfaqë një zemërim të pakontrollueshëm ashtu si kafsha që e përfaqëson.

Binjakët

Jeta nuk është aspak e zbehtë me Binjakët ashendent sepse kjo shenjë prodhon një personalitet mendjemprehtë dhe të zgjuar. Fatkeqësisht, natyra e tyre është e paqetë, nevrike dhe e shpërndarë. Me këtë shenjë të gjallë në lindje, ju keni nevojë për stimulim të vazhdueshëm mendor. Kjo sepse ju nuk mund ta mendoni dot të jeni të mërzitur as edhe një minutë. Doni të rrethoheni me njerëz, aktivitete, dhe situata ngacmuese. Jeni më të lumturit kur keni me se merreni dhe kur jeni pjesë e disa aktiviteteve.

Gaforrja

Hëna sundon shenjën e Gaforres, prandaj konsiderohet si sunduese e horoskopit tuaj. Kur Hëna është mbizotëruese në hartë, prodhon një personalitet të ndjeshëm dhe paksa të ndrojtur. Ju pëlqen ta hetoni një situatë përpara se të merreni me të. Hëna është tregues i emocioneve, ndjenjave dhe ndjeshmërisë. Është gjithashtu e lidhur ngusht me instinktin amësor. Jeni tepër mbrojtës për njerëzit qe doni, aq sa për veten tuaj. Nëse nuk keni një familje për t’u kujdesur për ta si nënë, ndoshta do t’i shfaqni këto karakteristika përkujdesjeje ndaj miqve tuaj.

Luani

Luani ashendent prodhon një personalitet bujar, të përzemërt, dhe të fortë. Luani është një shenjë mbretërore, dhe duke pasur këtë shenjë si ashendent ju keni një qëndrim mbretëror dhe një sens kontrolli në shumë situata. Jeni person mjaft i hapur dhe tërheqës, duke treguar një fytyrë shumë të lumtur kur gjërat shkojnë mirë. Ndershmëria, guximi, dhe dinjiteti janë virtytet tuaja kryesore, dhe natyra juaj e hapur, “diellore” ju ndihmon të jeni shumë i kërkuar gjë për të cilën keni nevojë.

Virgjëresha

Shenja e Virgjëreshes sundohet nga planeti Merkur. Virgjëresha është një shenjë toke, duke nënkuptuar një stil praktik në jetë. Merkuri shpreh energji mendore. Pra, kjo shenjë në lindje njihet për stilin e saj praktik, objektivitet, thjeshtësi, dhe analiza. Ashendenti Virgjëreshë prodhon një personalitet shpesh të qetë, disi të thjeshtë (pa pretendime) dhe kurrë të ashpër apo vulgar.

Me Virgjëreshën në lindje, ju zotëroni një mendjemprehtësi të shprehur në punët e përditshme praktike. Analitik dhe metodik në gjithçka që bëni, jeni shumë sistematik në zhvillimin e ideve dhe në shqyrtimin e projekteve gjatë realizimit.

Peshorja

Ashendenti Peshore jep një personalitet diplomat dhe të shoqërueshëm. Hijeshia, pajtueshmëria, dhe të qenit i shoqërueshëm janë tiparet e dukshme të personaliteti tuaj. Kjo është shenja e peshores së ekuilibrit dhe drejtësisë. Cilësia e parë e lidhur me Peshoren është sensi i fortë i një loje të ndershme. Ju mund të shqyrtoni të dyja anët e pothuajse çdo çështjeje, dhe ka gjithmonë një kërkesë në natyrën tuaj për të kërkuar drejtësi. Ndoshta për shkak të këtij tipari që sapo përmendëm, një numër mahnitës i politikanëve më të famshëm të botës kanë pasur Peshoren në lindje. Me Peshoren në lindje, jeni të aftë në debate, por ka mundësi të mos jeni shumë argumentues. Ju përpiqeni të fitoni pikët tuaja në mënyra që kërkojnë mendjemprehtësi dhe kujdes diplomatik. Natyra juaj e fiksuar është fshehur mirë nga sjellja juaj bashkëpunuese.

Akrepi

Akrepi në lindje prodhon një personalitet thellësisht të rezervuar, të fshehtë dhe të vendosur. Forca e personalitetit që del nga Ashendenti Akrep është kaq intensive, magnetike, dhe karizmatike, saqë është shpesh disi pushtuese. Të simbolizuar nga akrepi, ju keni një “veshje mbrojtëse” të jashtme e cila ju mbron dhe ju mundëson të mbijetoni në situata armiqësore. Nuk jeni ai lloj personi që dorëzohet ndonjëherë, edhe kur presionet dhe rrethanat do t’ju ligështonin. Kur ziheni ngusht, “pickimi vdekjeprurës i akrepit” mund të futet në lojë.

Shigjetari

Shigjetari në lindje prodhon një personalitet nervoz (të paqetë), të hapur, të shoqërueshëm, dhe shumë të pavarur. Ky ashendent prodhon individë që janë ambiciozë; njerëz me perspektivë të gjerë dhe qëndrim filozofik. Ambiciet tuaja lidhen me qëllimet afatgjata dhe në shkallë të gjerë. Në të njëjtën kohë, jeni të aftë të keni një botëkuptim pozitiv dhe optimist. Ndjeni se çështjet do të dalin mirë, pavarësisht se sa të mëdha janë sfidat.

Keni një dëshirë të fortë për të përshkuar distanca të largëta, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Zakonisht, gjithçka do të dalë mirë për ju. Planeti juaj ‘sundues’ është Jupiteri, ‘mirëbërësi i madh’. Jupiteri konsiderohet planeti më fatsjellës në zodiak.

Bricjapi

Bricjapi në lindje prodhon një personalitet serioz, të kujdesshëm, dhe të duruar. Saturni sundon Bricjapin, dhe bëhet planeti sundues në hartën tuaj. Ndikimi i Saturnit sugjeron tipin më të përgjegjshëm të personalitetit, dhe jep një stil jete “kurrë mos thuaj vdes” që është thelbi i jetës suaj. Ashendenti Bricjap jep gjithashtu një përmbajtje (rezervim) dhe kufizim që ju bëjnë të dukeni shumë të ashpër dhe melankolik. Dukeni kritik dhe të ftohtë për shkak të një qëndrimi etik dhe të ndershëm që detyra duhet kryer. Kjo është një shenjë komplekse.

Ujori

Ujori në lindje jep një personalitet kreativ, të pavarur dhe të veçantë. Është një shenjë që sugjeron shumë cilësi unike. Shpesh, një personalitet i pazakonshëm që është i ndryshëm dhe përparimtar. Jeni inteligjent dhe në disa mënyra ekscentrik. Keni një mendje pozitive që është spontane, shpikëse, origjinale dhe unike. Sidoqoftë, ju gjithmonë duket sikur veproni me intuitë dhe impulse sesa me plan. Nëse ju u rezistoni këtyre tendencave të natyrshme për të qenë “ndryshe”, dhe përpiqeni të përshtateni të jeni si gjithë të tjerët, prireni të riktheheni dhe të rebeloheni në kohët kritike dhe të papërshtatshme. Mund të bëheni nevrik dhe të paparashikueshëm, duke e menduar veten si një rebel.

Peshqit

Me Peshqit në lindje, planeti “sundues” i horoskopit tuaj është Neptuni. Ky ashendent prodhon një personalitet idealist, tepër të ndjeshëm, dhe zakonisht një person me shumë vizion. Ndikimi i Neptunit në natyrën tuaj ju shkakton të keni diçka të një kompleksi Don Kishot, me shumë pak lidhje me realitetin. Jeni shumë tolerant, nganjëherë mund të dukeni edhe të plogët; romantik dhe ëndërrimtar. Me Peshqit në lindje mund të jeni ai lloj personi i cili kërkon shpesh këshilla, sepse ju mungon besimi për të vazhduar përpara, dhe jeni kaq të pasigurt në vetvete.