Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj kërkon që të mbahet përgjegjësi për humbjen e PD-së në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Në reagimin e tij, Gjekmarkaj e konsideron humbjen e PD-së si të paparashikueshme dhe kërkon që të mblidhen urgjent organet drejtuese.

“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd post vetes. Çdo justifikim është i papranueshme. PD duhet të mbledh sonte me urgjencë organet e saj dhe të nxjerrë përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë time. Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike”, shprehet Gjekmarkaj.