Platforma Meta do t’i lejojë përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it në disa vende që të bëjnë thirrje të dhunshme kundër ushtarëve rusë në kontekstin e pushtimit në Ukrainë. Lëvizja përbën një ndryshim të përkohshëm të politikës së gjuhës së urrejtjes në këto media sociale. Gjithashtu do të lejojë përkohësisht disa postime që drejtojnë thrrje për vdekjen e presidentit rus Vladimir Putin, ose presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.

“Si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, kemi lejuar përkohësisht forma të shprehjes që normalisht do të shkelnin rregullat tona, si gjuha e urrejtjes… nuk do të lejojmë thirrje për dhunë ndaj civilëve rusë”, ka thënë një zëdhënës i Meta-s. Sakaq, këto thirrje do të lejohen nëse nuk përmbajnë objektiva të tjerë ose nuk kanë dy tregues besueshmërie, si vendndodhja ose metoda. Pas lajmit, ambasada e Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërkuar ndalimin e “veprimtarisë ekstremiste të Meta-s”.

“Përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it nuk u dhanë pronarëve të këtyre platformave të drejtën të përcaktojnë kriteret e së vërtetës dhe të vendosin kombet kundër njëri-tjetrit”, ka thënë ambasada. Megjithatë, kompania po i zbaton këto ndryshime të politikës së vet në Armeni, Azerbajxhan, Estoni, Gjeorgji, Hungari, Letoni, Lituani, Poloni, Rumani, Rusi, Sllovaki dhe Ukrainë. “Po e bëjmë këtë sepse kemi vërejtur se në këtë kontekst specifik, ushtarët rusë po përdoren si përfaqësues për ushtrinë ruse. Politika e gjuhës së urrejtjes vazhdon të ndalojë sulmet ndaj rusëve”, ka specifikuar kompania.