Në fushën e inxhinierisë, gratë hasin shpesh pengesa nga klishe të vjetëruara. Megjithëse inxhinieria mekanike është parë shpesh nga shoqëria si një fushë mashkullore, shumëçka tashmë ka ndodhur, siç mund të shihet edhe midis nesh. Në DPSHTRR duam të theksojmë pikërisht këtë sot në ditën e grave. Në këtë kontekst, vajza e gra fantastike që kanë studiuar e praktikojnë përmes sektorëve të institucionit tonë në fushën e inxhinierisë mekanike, flasin për motivimin e tyre dhe japin këshilla se si të kapërcehen paragjykimet ekzistuese, por mbi të gjitha si të ndiqen sfidat dhe ëndrrat. Ne vetëm mund ta mbështesim këtë motivim dhe përmes zërave e punës së tyre, të nderojmë këtë ditë.

Për të inkurajuar edhe më shumë gratë dhe për t’i prezantuar ato me profesionin e inxhinierisë, studente dhe kolege të ardhshme na kanë bërë pjesë të eksperiencës së tyre. Fiona, Enisa dhe Stela, studentet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike – UPT, japin mesazhet e tyre duke theksuar se pasioni dhe puna nuk përkufizohen nga gjinia, dhe forca e dëshirës shpërfill çdo “tabu” shoqërore. Nëse në degën e inxhinierisë mekanike, paska ekzistuar një hendek gjinor, bëhet arsye më e fortë për të rinjtë e të rejat të synojnë të tejkalojnë sfidat që kjo zgjedhje krijon, e po ashtu t’i thyejnë tabutë sociale. Studentet që na tregojnë eksperiencat e tyre, besojnë me vendosmëri se diversiteti në këtë fushë është thelbësor, qoftë në lidhje me zgjedhjen e studimeve, ashtu edhe në vendin e punës.

Në çfarëdolloj sektori ku do të mund të punojnë në inxhinieri mekanike, vajzat dhe gratë ofrojnë vizionin e tyre për industrinë, por nëse mundësitë nuk merren, nëse nuk guxohet përtej çfarë ka ekzistuar për shumë gjatë në shoqëri, atëherë do të përsëriten gabime të së shkuarës. Hendeku gjinor në inxhinierinë mekanike, duket se nuk i tremb vajzat e vendosura për të jetuar dhe realizuar ëndrrat e tyre. Ato janë të vetëdijshme për situatën e konkurrencës, por nuk i ngatërrojnë aftësitë e tyre duke tentuar të jenë të mira po aq sa djemtë, zhvillimi në sektorin e tyre shtrihet përmes të dhënit më të mirën e mundshme, sepse profesionaliteti dhe përgatitja nuk kanë të bëjnë me gjininë. Në një vend të konceptuar si hapësirë me kulturë mashkullore, siç ka qenë DPSHTRR, vetëm përmes dëshmive reale si këto që dëgjuam mund të kuptohet si stereotipe të qëndrueshme në kohë, mund dhe duhet të vazhdojnë të luftohen në këto sektorë, por edhe shumë të tjerë. Në selinë qëndrore të DPSHTRR, 50% e ekipit përbëhet nga gra; +28.2% më shumë se në vitin 2018, ku rolet drejtuese nuk i dedikohen vetëm burrave. 72% e grave mbulojnë role të profilit të lartë në vitin 2021, rritur nga 64% që ishte në vitin 2018. Janë punësuar 159 punonjëse gra në periudhën 2018-2021, pra +59% më shumë dhe në të gjitha drejtoritë e DPSHTRR, prezenca e grave është rritur me +12.5% në krahasim me vitin 2018.

Edhe pasi janë përballur me paragjykimet dhe qëndrime jo të shëndetshme për sa i përket zgjedhjes profesionale që kanë bërë, këto vajza e manifestojnë grintën e tyre për një karrierë të suksesshme, përmes titullit të inxhinieres dhe aftësive të larta profesionale. Rrëfimet e tyre kërkojnë të frymëzojnë të gjithë vajzat e tjera që dëshirojnë të ndjekin të njëjtën fushë.