Forcat ruse kanë deportuar me forcë 2,389 fëmijë nga Donetsk dhe Luhansk, sipas një deklaratë të ministrisë së punëve të jashtme të Ukrainës, shkruan CNN. “Veprime të tilla janë një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare, në veçanti e ligjit ndërkombëtar humanitar”, thuhet në deklaratë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se 16,434 njerëz, përfshirë 2,389 fëmijë u evakuuan një ditë më parë. Evakuimet kanë përfshirë Republikën Popullore të Donetsk-it të mbështetur nga Rusia dhe Republikën Popullore të Luhanskut, dhe njerëzit janë larguar me vullnetin e tyre, sipas ministrisë.

“Rrëmbimi i fëmijëve gjatë kohës së luftës është një nga gjashtë shkeljet e rënda ndaj fëmijëve në konflikt dhe është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.