Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca shpjeguan në një deklaratë të përbashkët për shtyp funksionin dhe ngritjen e Bordit të Transparencës për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të shportës dhe inputeve bujqësore.

Duke u bazuar në situatën e tanishme, Ministrja Ibrahimaj tha se sa i përket TVSH-së së produkteve ushqimore, nuk do të ndërhyjnë në TVSH e produkteve të shportës, duke shtuar se vitin e kaluar qeveria mori një vendim i cili prek pjesën më të madhe të bizneseve dhe 95 mijë biznese të vogla, me rritjen e pragut të TVSH-së në 10 milionë lekë xhiro vjetore dhe pragun e tatim fitimit në 14 milion lekë xhiro.

“95 mijë biznese nuk paguajnë asnjë taksë dhe as TVSH. Produktet që ne po diskutojmë në 60% të tyre përdoren nga këto subjekte” tha Ibrahimaj duke shpjeguar përmes shembullit të miellit se si nëse do të hiqej TVSH e produkteve nuk do të kishte ndikim mbi çmimin, por vetëm në fitimin e tregtarëve. “Heqja e TVSH nuk do të ndikonte në konsumatorin final”, shpjegoi ministrja Ibrahimaj.

“Ky nuk është momenti për t’i rritur fitimet tregtarëve, tha ministrja, ky është momenti që ne të marrim masa e të mbështesim të gjithë konsumatorët më në nevojë dhe të monitorojmë tregun për të garantuar që të mos ketë abuzime me çmimet”, përfundoi ministrja.