Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 22 raste të reja me COVID, duke shënuar një ulje të infektimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orë është regjistruar një viktimë.

Ndërkaq 35 pacientë janë shëruar nga koronavirusi. Njoftimi i plotë: Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Çdo qytetar mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar me dy doza, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqëndruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.

Nëse dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127. Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 647 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 22 qytetarë, në këto bashki: 10 në Tiranë, 4 në Lushnje, 2 në Berat, nga 1 qytetar në Memaliaj, Sarandë, Delvinë, Kavajë, Durrës, Kukës.

Janë 603 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 32 pacientë, nga të cilët 5 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit ka një humbje jete me SARS-COV2: një qytetare nga Tirana 73 vjeçe.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes.
Janë shëruar 35 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 269,019 që nga fillimi i epidemisë.