Nga Jakin Marena

Vendimi i Gjykatës së Tiranës në lidhje me Kuvendin e korrikut të vitit të kaluar, kohë kur ishin bashkë Lulzim Basha me Sali Berishën, si paterica që mbanin njëri tjetrën në PD, i ka gjetur demokratët të ndarë praktikisht në tre pjesë.

Partia më e madhe opozitare tashmë është një “hije” e vetëvetes, ku Berisha me grupin e tij pas rezultatit që mori në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit është tani mbi PD-në zyrtare duke e zhvendosur atë në vendin e tretë në hartën e politikës shqiptare.

Por dhe vetë ajo “copa” që drejtohet nga Basha që nga shtatori i vitit të kaluar, kur Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë në Shqipëri, tashmë nuk është e bashkuar.

Në PD zyrtare tashmë janë ravijëzuar dy grupe në përballjen me njëri tjetrin, ajo e pothujase të gjithë deputetëve demokratë të cilët kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD dhe bashkimin e partisë, me argumentin se s’garanton kurrë fitoren e opozitës për të ardhur në pushtet, dhe grupi tjetër që mbështet Bashën dhe i bën thirrje që të mos ikë. Pra e kemi fjalën për Kolegjin e kryetarëve, krerët e emëruar të degëve të PD dhe funksionarë të tjerë lokalë.

Basha në disa mbledhje të grupit parlamentar të PD kërkoi me insistim kohë për të reflektuar, ndërsa pa përmendur asnjëherë termin “dorëheqje” ai nënvizoi në të gjitha daljet publike se është i gatshëm të jetë në dizpozicion të partisë, për të bërë më të mirën e mundshme për të.

Por sikurse e paralajmëruam dhe ne disa herë në median tonë, më shumë se sa për të reflektuar për situatën në PD të shkaktuar pas humbjes traumatike në 6 bashki në zgjedhjet e 6 marsit, madje me diferencë të madhe votash dhe nga grupimi i drejtuar nga Berisha “Shtëpia e Lirisë”, Basha e kërkoi kohën për të reflektuar thjeshtë dhe vetëm për të fituar kohë.

E themi këtë sepse më 18 mars, pra të premten që kaloi Gjykata e Tiranës vendosi për Statutin e Kuvendit të korrikut të vitit 2021, kur Basha dhe me mbështetjen e Berishës, në atë kohë si “mish e thua” bashkë, ndonëse vinte menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit po të vitit të kaluar, u rizgjodh si gjithnjë pas humbjes, në krye të PD.

Kështu, në mesin e debatit se kush e dominon PD-në dhe kush ka legjitimitetin për ta drejtuar atë, Gjykata e Tiranës dha të parin vendim që zyrtarizon në krye të partisë, Lulzim Bashën.

Gjykata regjistroi ndryshimet në statutin e PD-së dhe të gjitha vendimet e Kuvendit Kombëtar, të 17 korrikut 2021 që Lulzim Basha e mblodhi në pallatin e Kongreseve, ende pa marrë vendim për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga SHBA.

Ndonëse në Gjykatë është dhe dokumentacioni i Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor 2021 me kërkesën e 1/3 të delegatëve si dhe Kuvendi tjetër i Bashës më 18 dhjetor po të vitit të kaluar, praktikisht kryetar me vendim gjykate është Lulzim Basha. Pra kryetari me “letra” i kësaj partie është pikërisht njeriu, të cilin dhe mbështetësit më të afërt të tij deri më 6 mars të këtij viti e duan të dorëhequr, madje dhe të përjashtuar nga Grupi parlamentar i PD, me arsyetimin se i ka sjellë një dëm të pallogaritshëm opozitës, në përplasjen e tij personale për lidershipin e PD, me Sali Berishën.

Pra pavarësisht se 11 ndryshimet e propozuara në Statutin e PD nga Basha dhe që unanimisht morën miratimin e strukturave drejtuese në PD preknin vetëm anën organizative të partisë, tetë muaj pas Kuvendit të korrikut, legjitimimi i statutit në mars në gjykatën e Tiranës, me sa duket nuk do t’i shërbejë as vetë Bashës, që me shpërthimin e krizës me demokratët e përçarë mes 3 kampeve, nuk i ka zbatuar dot ndryshimet statutore që dhe vetë Berisha në atë kohë i votoi.

Teksa në ndryshimet e bëra, qoftë në statutin e 17 korrikut, por qoftë edhe atë të dhjetorit, Basha la pa prekur pozicionin e kryetarit të partisë, që sipas kundërsharëve të tij duhet të ketë një mandat 4-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi, në rast se humbet zgjedhjet, kreu aktual i PD zyrtare sërish ngurron të japë dorëheqjen pas humbjes katastrofike më 6 mars.