Mariupoli është bërë qyteti më i bombarduar dhe më i dëmtuar në luftën ruso-ukrainase, pasi ka pësuar peshën e madhe të sulmeve të vazhdueshme ruse.

Ai është qytet kyç për fushatën ushtarake të Moskës. Por, pse?

Ka katër arsye kryesore pse marrja e qytetit port do të ishte një fitore kaq strategjike për Rusinë dhe një goditje e madhe për Ukrainën.

1 – Siguron korridor tokësor mes Krimesë dhe Donbasit

Gjeografikisht, qyteti i Mariupolit zë vetëm një zonë të vogël në hartë, por tani reziston me “kokëfortësi” në rrugën e forcave ruse që kanë dalë nga gadishulli i Krimesë, në një përpjekje për t’u lidhur me shokët e tyre dhe aleatët separatistë në rajonin e Donbasit.

Gjenerali Richard Barrons, ish-komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të BM-së, thotë se kapja e Mariupolit është jetike për përpjekjet luftarake të Rusisë.

“Kur rusët të ndjejnë se e kanë përfunduar me sukses atë betejë, ata do të kenë përfunduar një urë tokësore nga Rusia në Krime dhe do ta shohin këtë si një sukses të madh strategjik”, thotë ai.

Nëse Mariupoli do të merrej, atëherë Rusia do të përfundonte gjithashtu me kontrollin e plotë të më shumë se 80% të vijës bregdetare të Detit të Zi të Ukrainës duke ndërprerë tregtinë e saj detare dhe duke e izoluar më tej atë nga bota.

Duke u përballur me forcat e avancuara në tre javët e fundit, ukrainasit në mbrojtje kanë arritur të ndalojnë një numër të madh trupash ruse. Por, dështimi i Rusisë për të siguruar një kapje të shpejtë të qytetit, i ka shtyrë komandantët rusë të përdorin një version të shekullit XXI të taktikave të rrethimeve mesjetare.

Ata kanë goditur Mariupolin me artileri, raketa dhe raketa duke dëmtuar ose shkatërruar mbi 90% të qytetit. Ata gjithashtu kanë ndërprerë aksesin në energjinë elektrike, ngrohjen, ujin e freskët, ushqimin dhe furnizimet mjekësore duke krijuar një katastrofë humanitare të shkaktuar për të cilën Moska tani fajëson Ukrainën për refuzimin e dorëzimit deri në orën 05:00 të së hënës së kaluar. Një deputet ukrainas ka akuzuar Rusinë për “përpjekje për të lënë Mariupolin nga uria për t’u dorëzuar”.

Ukraina është zotuar të mbrojë qytetin deri në ushtarin e fundit. Trupat ruse po shtyjnë ngadalë në qendër dhe, në mungesë të ndonjë lloj marrëveshjeje paqeje të zbatueshme, Rusia tani ka të ngjarë të intensifikojë bombardimet e saj duke bërë pak ose aspak dallim midis mbrojtësve të saj të armatosur dhe popullsisë civile të rrethuar, e cila ende numëron mbi 200 000 persona.

Nëse Rusia merr kontrollin e plotë të Mariupolit, atëherë kjo do të çlirojë afërsisht 6 000 trupa të saj – të organizuar në grupe taktike batalioni prej 1 000 trupash – për të shkuar më pas dhe për të përforcuar frontet e tjera ruse rreth Ukrainës.

Ekzistojnë një sërë mundësish se ku mund të rishpërndahen:

në verilindje, për t’iu bashkuar betejës për të rrethuar dhe shkatërruar forcat e armatosura të rregullta të Ukrainës që luftojnë separatistët pro Kremlinit në rajonin e Donbasit
në perëndim, për të shtyrë drejt Odesës, e cila do të ishte dalja e fundit kryesore e mbetur e Ukrainës në Detin e Zi
në ver-perëndim, drejt qytetit të Dnipros
2 – Mbytja e ekonomisë së Ukrainës

Mariupoli ka qenë prej kohësh një port i rëndësishëm strategjik në detin Azov, pjesë e Detit të Zi.

Ai është porti më i madh në rajonin e detit Azov dhe shtëpia e një fabrike të madhe hekuri dhe çeliku. Në kohë normale, Mariupoli është një qendër kryesore e eksportit për çelikun, qymyrin dhe misrin e Ukrainës që shkojnë për klientët në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

3 – Mundësi propagandistike

Mariupoli është shtëpia e një njësie të milicisë ukrainase të quajtur Brigada Azov. Ajo ka në përbërje ekstremistë të ekstremit të djathtë përfshirë neonazistë.

Megjithëse ajo përbën vetëm pjesën më të vogël të forcave luftarake të Ukrainës, ky ka qenë një mjet i dobishëm propagande për Moskën, duke i dhënë asaj një pretekst për t’i thënë popullatës ruse se të rinjtë që ajo ka dërguar për të luftuar në Ukrainë janë atje për të hequr qafe fqinjin e tyre nga neonazistët.

Nëse Rusia arrin të kapë të gjallë një numër të konsiderueshëm luftëtarësh të Brigadës Azov, ka të ngjarë që ata të parakalojnë në mediat e kontrolluara nga shteti rus si pjesë e luftës së vazhdueshme të informacionit për të diskredituar Ukrainën dhe qeverinë e saj.

4 – Rritje e ndjeshme e moralit

Marrja e Mariupolit nga Rusia, nëse ndodh, do të jetë psikologjikisht domethënëse për të dyja palët në këtë luftë.

Një fitore ruse në Mariupol do t’i mundësonte Kremlinit t’i tregonte rusëve se Rusia po i arrinte qëllimet e saj dhe po bënte përparime.

Për presidentin Putin, për të cilin kjo luftë duket të jetë personale, e gjithë kjo ka një rëndësi historike. Ai e sheh vijën bregdetare të Detit të Zi të Ukrainës si pjesë e diçkaje të quajtur Novorasija (Rusia e Re) – tokat ruse që datojnë nga perandoria e shekullit XVIII.

Putin dëshiron të ringjallë këtë koncept “duke i shpëtuar rusët nga tirania e një qeverie properëndimore në Kiev”, siç e sheh ai. MariupolI aktualisht qëndron në rrugën e tij në arritjen e këtij qëllimi.

Por, për ukrainasit, humbja e Mariupolit do të ishte një goditje e madhe – jo vetëm ushtarakisht dhe ekonomikisht – por edhe për mendjet e burrave dhe grave që luftojnë në terren. MariupolI do të ishte qyteti i parë i madh që do të binte në duart e rusëve pas Kersonit, një qytet strategjik shumë më pak i rëndësishëm.

Këtu ka një aspekt tjetër moral dhe ai është parandalimi.

Mariupol ka bërë rezistencë të ashpër, por shikoni koston. Qyteti është shkatërruar, ai shtrihet kryesisht në rrënoja. Ai do të hyjë në histori së bashku me Groznin dhe Alepon, vende që Rusia përfundimisht i bombardoi dhe granatoi duke i kthyer ato në rrënoja. Mesazhi për qytetet e tjera të Ukrainës është i zymtë: nëse zgjidhni të rezistoni siç bëri Mariupoli, atëherë mund të keni të njëjtin fat.

“Rusët nuk mund të hyjnë në Mariupol”, thotë gjenerali Barrons, “ata nuk mund të hyjnë me tanket e tyre, prandaj e kanë bombarduar. Dhe kjo është ajo që ne duhet të presim, të shohim diku tjetër që ka vërtet rëndësi për ta”./ (Nga Frank Gardner korrespondent për çështjet e sigurisë në BBC)