Nga Frrok Çupi/

32 fshatarë të Gërdecit, në zgjedhjet e 6 marsit (para 9 ditësh) votuan në favor të Sali Berishës; por edhe kjo u harrua. Pak nga pak po harrohet vetë Gërdeci…

Të gjithë kanë harruar. Por të gjithë kanë harruar së prapthi. Deri edhe kolegët e mi të medies, sa herë bëjnë kronika për ‘çështjen Gërdeci’, asnjëherë nuk e mbajnë mend emrin e fëmijës 7 vjeç Edison Durda; o thonë ‘djali 7 vjeçar’, ose e përmendin me dy shkronja të vetme: E.D.

U dashka harruar?… Po, duhet harruar! 14 vjet larg tragjedisë qeveritare të Gërdecit, duhet aplikuar Harresa si Drejtësi.

Harresa e parë bie mbi Tempullin.

Tempulli është vetë Gërdeci, fshat pranë Tiranës, i strukur në një rrudhë kodrinash, si një qenie e frikësuar nga gjuetarët. Sikur fshati ta dinte se një ditë do ta digjnin… Siç dogjën Tempullin e Artemis në lashtësi, në epokën e broncit. Ai ishte ngritur në qytetin Efe të Turqisë, në respekt të perëndeshës Artemis. I vuri zjarrin një nga njerëzit e pushtetshëm të kohës, Herostratus. Këtu nis harresa e parë e historisë për Drejtësi. Gjykatësit vendosën si ndëshkim që emri i zjarrvënësit të mos përmendet kurrë më nga askush. 24 shekuj u harrua zjarrvënësi, jo Tempulli. Gërdecin e dogji dhe e vrau qeveria dhe familja Berisha; por mediat, feja dhe politika harrojnë viktimat dhe mbajnë në gojë Berishën. Duhet kthyer sensi i harresës: Të harrohen zjarrvënësit.