KQZ ka miratuar këtë pasdite projektvendimin për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit vetëm në Bashkinë Vorë.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, deklaroi se duke patur edhe dakordësinë e partive politike, votimi elektronik do të zbatohet vetëm në këtë bashki.

Një ditë më parë, Celibashi foli edhe në Report Tv, ku theksoi se votimi elektronik u zgjodh vetëm për Bashkinë Vorë për shkak të kohës në dispozicion sepse numri i qendrave të votimit në Vorë është më i vogël se numri i pajisjeve që kanë për votimin elektronik.

“Koha në dispozicion nuk na mundësonte të shtonim numrin e këtyre pajisjeve. Për më tepër nuk është proces i thjeshtë si teknikisht dhe financiarisht.”-tha Celibashi dje në Report Tv.

Celibashi deklaroi se organizimi për zgjedhjet po shkon në përputhje të plotë me të gjitha parashikimet dhe programin që KQZ ka bërë.

Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme, datën 6 mars. Zgjedhjet e pjesshme do mbahen në Vorë, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Shkodër dhe Dibër.