Faqja e re zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR), është e hapur për çdo denoncim, ankesë dhe informacion nga qytetarët për subjektet.
DPSHTRR bëri të ditur sot se “shërbimet e Transportit Rrugor sot as kanë krahasim me dje, por ndërsa kemi progres në shumë aspekte, si një aktivitet që po kap rreth 3 milionë praktika/shërbime në vit, kemi ende shumë problematika, shmangie, fiktivitet, përpjekje për abuzime, mos njohje të drejtash, mosvetëdije, mungesë informacioni, sekserë që i vijnë rrotull drejtorive rajonale, akte korruptive apo fenomene negative që me siguri shfrytëzojnë subjektivitete e boshllëqe, rrethe të ngushta lokale e mbi të gjitha kulturën e heshtjes dhe mosdenoncimit”.
DPSHTRR i bën thirrje çdo qytetari, subjekti, dëshmitari në një rast abuzimi, të shfrytëzojë lirisht platformat publike online në faqen www.dpshtrr.gov.al, të cilat dërgojnë çdo rast me konfidencialitet të plotë në adresën e duhur.
“Na shkruani, na ndihmoni të luftojmë qelizat e dëmshme të entit tonë, si edhe të mos lejohet ngrënia e hakut të askujt, nga ne por edhe mes tregut ku operohet. Denonconi – Zëri juaj dëgjohet. Koordinatori për të Drejtën e Informimit padyshim që në çdo rast t’i drejtohen edhe policisë dhe organeve kompetente”, njofton DPSHTRR.