Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje qytetarëve në mbarë botën që të dalin në sheshet e qyteteve të tyre dhe të kërkojnë përfundimin e luftës në Ukrainë. Lideri ukrainas e bëri thirrjen gjatë fjalimit të tij këtë të premte, ku kërkoi rivendosjen e paqes në Europë.

“Jam i sigurt se njerëzit e zakonshëm mund të veprojnë gjithashtu në çdo vend të botës, në çdo vend të Europës. Shkoni në sheshet e qyteteve tuaja dhe kërkoni paqe për Evropën, paqe për Ukrainën, fundin e kësaj lufte,” tha Zelensky. Zelensky theksoi se kërkesa për paqe është e drejtë e Ukrainës dhe e drejtë e çdo person.

“Kur bien bomba në Kiev, kjo ndodh në Evropë, jo vetëm në Ukrainë. Kur raketat vrasin njerëzit tanë, është vdekja e të gjithë evropianëve. Kërkoni më shumë mbrojtje për Evropën, më shumë mbrojtje për Ukrainën si pjesë e një bote demokratike,” tha Zelensky.