Radhë të gjata njerëzish janë regjistruar në Ukrainë pas thirrjes së Presidentit Volodymyr Zelensky. Kreu i shtetit të Ukrainës u kërkoi qytetarëve që të dhurojnë gjak për të ndihmuar ushtarët e plagosur dhe siç duket nga pamjet, ata i janë përgjigjur kërkesës së tij. Pamjet më poshtë vijnë nga qyteti Kharkiv. Një prej doktorëve të bankës së gjakut tha se këtë shkallë dhurimi e ka parë vetëm gjatë vitit 2014, kur Ukraina kishte konfliktin me Rusinë në Donbas.

Forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë. Raportohet se ndaj qyteteve më të rëndësishme janë lëshuar raketa dhe janë dëgjuar shpërthime. Njerëzit kanë nisur që të arratisen nga kryeqyteti Kiev. Një pjesë tjetër e banorëve janë strehuar në stacionet e metrove, të cilat janë shndërruar në bunkerë të improvizuar.

Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën mbi 10 civilë dhe më shumë se 40 ushtarë. Megjithatë të dhënat janë gjithmonë në përditësim dhe mund të ndryshojnë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se përgjigja e Moskës do të jetë e menjëhershme nëse dikush do të përpiqet që të përballet me Rusinë. Putin i ka bërë thirrjeve ushtarëve ukrainas që të lëshojnë armët dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.

Presidenti amerikan Joe Biden nga ana tjetër është zotuar se bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse duke parashikuar humbje të madhe jete nga kjo ngjarje. Bashkimi Europian ka thënë se këto janë orët më të errëta të Europës që prej Luftës së II Botërore dhe se Rusia do të goditet nga “sanksione madhore”.