Kryebashkiaku Erion Veliaj priti në një takim kryetaren e Bashkisë së Korfuzit, Merope Hydraiou, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin mes dy qyteteve në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.

“Mezi pres të bashkëpunojmë në shumë fusha, si kultura apo turizmi. Në vizitën time të fundit në Korfuz pashë disa prej bandave muzikore atje, dhe të frymëzuar prej tyre patëm mundësinë të krijojmë Filarmoninë e të Rinjve të Tiranës”, pohoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se marrëdhënia e mirë mes dy vendeve ekziston ndër vite dhe vijon edhe sot.

“Për ne është kënaqësi e veçantë që, shumë bashkëkombës shqiptarë e kanë kthyer Korfuzin në një shtëpi të dytë. Më kujtohen vitet e kohës së komunizmit, kur për shumë njerëz Korfuzi ishte një shpëtim nga ai sistem. Asokohe, shumë njerëz përpiqeshin ta kalonin me not kanalin e Korfuzit, për të gjetur një të ardhme në liri. Sot, ajo që dikur ishte një “mollë e ndaluar” dhe një udhëtim i rrezikshëm, është kthyer në një rutinë mes Korfuzit dhe Sarandës dhe shumë shtetasve shqiptarë që janë kthyer në histori suksesi aty. Më bën të ndihem shumë krenar për rrugëtimin që kemi pasur së bashku në këto 30 vite”, nënvizoi Veliaj.

Kryetarja e Bashkisë së Korfuzit, Merope Hydraiou foli për forcimin e bashkëpunimit mes Greqisë dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme si kultura, edukimi dhe turizmi.

“Jam e lumtur për këtë takim dhe bashkëpunim me skuadrën tuaj. Keni një skuadër fantastike, që ju mbështet. Di që Tirana ka marrë titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, si një qytet shumë i zhvilluar, dhe jam e kënaqur për këtë. Jemi fqinj të afërt dhe mendoj se është koha e duhur që mes Greqisë dhe Shqipërisë, Korfuzit dhe Tiranës, të forcojmë bashkëpunimin në fusha të ndryshme si kultura, edukimi dhe turizmi. Me bashkitë e Tiranës, Vlorës dhe Sarandës mund të punojmë mirë e ndoshta, të firmosim një Memorandum Bashkëpunimi, ku mund të gjejmë shumë hapësira dhe rrugë për punë të shkëlqyera e zhvillim të qëndrueshëm, nga të cilat të përfitojnë njerëzit, vendet dhe qytet tona”, përfundoi Hydraiou.

Pas takimit në Bashkinë e Tiranës, dy kryebashkiakët inspektuan punimet te Piramida, qendra më e madhe e teknologjisë në rajon.