NATO-ja po e shqyrton vendosjen e grupeve shtesë luftarake në pjesën juglindore të Aleancës, tha sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg pas një takimi me kryeministrin e sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.

Stoltenberg tha se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se është anëtare shumë e respektuar e Aleancës së NATO-s dhe se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i një rëndësie të madhe për ta.

Ai tha se Maqedonia e Veriut tani është pjesë e sistemit të sigurisë së hapësirës ajrore dhe se Greqia po “patrullon” qiellin mbi këtë vend.

Sipas Stoltenberg, në takim u diskutua për situatën në Ukrainë, në kufijtë e së cilës, shton Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rusia vazhdon të ndërtojë një ushtri që tani ka mbi 100,000 njësi.

“Ditët e fundit, ne kemi vërejtur një lëvizje të konsiderueshme të ushtrisë ruse në Bjellorusi, dhe ky është dislokimi më i madh që nga Lufta e Ftohtë. Rreth 30,000 trupa luftarake. Njësi operacionale speciale, avionë luftarakë, raketa dhe sisteme mbrojtëse”, tha Stoltenberg, duke theksuar se bëhet fjalë për një gamë të gjerë të aftësive moderne ushtarake.

Ai thekson se kjo do të vazhdojë me stërvitjet vjetore bërthamore ruse, të cilat priten këtë muaj.

Stoltenberg përsëriti thirrjen ndaj Rusisë për deeskalim, si dhe mesazhin se çdo agresion do të kishte pasoja të rënda.

Ai konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin forca shtesë në Gjermani, Poloni dhe Rumani.

“Ky është një sinjal i fortë i angazhimit të Washingtonit që vjen pas kontributeve të fundit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e përbashkët, që përfshijnë praninë në Mesdhe dhe angazhimin e 8500 trupave që janë gati për njësitë e NATO-s.”

Stoltenberg tha se vendosja e njësive shtesë luftarake në pjesën juglindore të Aleancës është duke u shqyrtuar.