Nga Skënder Minxhozi/ Çfarë lidhjeje ka teoria e Tokës së sheshtë me tezën e çmendur të zbarkimit të sajuar në Hënë?! Po teza e ngrohjes globale që nuk egziston, me Covidin si virus i shpikur nga Bill Gates dhe më tej me teorinë idiote se Xhorxh Soros manipulon gjithçka dhe gjithkënd, nga Poli i Veriut në Antarktidë?! Po simpatia e shprehur më së fundi edhe ndaj një personazhi si Vladimir Putin që shtyp makinat e qytetarëve ukrainas me tanke, si lidhet me pretendimet e mësipërme?! Ku lidhen këto qëndrime, pretendime, simpati dhe tifozeri të skajshme apo teori konspiracioni që i afrohen një skizofrenie të vërtetë kolektive që ka kapur përdorues të rrjetit, personazhe të njohur, njerëz normalë apo dhe anonimë në gjithë botën, deri edhe përfaqësues qeverish, mediash apo figura me influencë në opinionin publik në vende të ndryshme?!

Kjo tiradë tezash, hipotezash, qëndrimesh dhe personazhesh që nisin në majat e shoqërisë dhe elitave e përfundojnë tek demokracia pa kufi e pa filtra e Facebook-ut, bashkohen sot nga një kulturë botërore e dyshimit, nga kulti i versioneve alternative, të vërtetave të fshehura, i mohimit të gjithçkaje në emër të hedhjes poshtë të atij që përcaktohet si qëndrimi zyrtar mbi një dukuri, fenomen apo ngjarje.

Kjo është një nebulozë gjigande zërash, nga më të kualifikuarit deri tek ata më të paditurit dhe anonimët në çdo cep të botës së sotme të informacionit global dhe pa kufi, që predikojnë njëzëri, si në një meshë të përbotshme, antitezën e asaj që mbron dhe thotë qëndrimi zyrtar kudo ku ai shfaqet. Qoftë ky qëndrim shtetëror, politik, por edhe social, mjekësor apo shkencor.

Dy fatkeqësi botërore janë ndërthurur tragjikisht në këto orë. Pandemia dyvjeçare e cila për fat është në tërheqje e sipër dhe agresioni i përgjakshëm rus në Ukrainë. Dy ngjarje që kanë polarizuar menjëherë opinionet publike, mediat dhe personazhet e njohur e me influencë nga Japonia deri në bregun perëndimor të Amerikës. Prej dy vjetësh bota lufton jo vetëm me virusin por edhe me pikëpamje, dyshime e pretendime e teori të cilat tentojnë ta shpallin krizën më të madhe sanitare të 100 vjetëve të fundit si një sajesë, si një kurth botëror të një grushti njerëzish, me qëllim që të fusin nën kontroll popujt, të pasurohen apo të arrijnë s’dihet mirë çfarë qëllimesh të tjera.

Prej disa ditësh bota përballet gjithashtu me një agresion të hapur ndaj një shteti sovran, në stil të gjerë dhe me shumë viktima. Evropa mban frymën në të parin agresion të hapur ushtarak ndaj një vendi sovran në territorin e saj, që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe këtu polarizimi që po nis të duket sa në qëndrimet e shteteve, mediat dhe opinionin publik, ka një emërues të padukshëm që bashkon sot një grup të madh personash, të cilët në themelin e qëndrimeve të tyre kanë, ndër shumë arsye e motive, edhe të qenit kundër “politikës standarte”, ose siç e ka thënë shpesh “bariu” botëror i kësaj grigje Donald Trump, të qenit kundër pozicionit “politikisht korrekt”.

Në thelb kemi të bëjmë me një fe të re globale, që niset në elitën e djathtë politike amerikane, vijon në forcat ksenofobe në shumë vende të Evropës, e përfundon në zhurmnajën pa formë dhe pa origjinë të përcaktuar të rrjeteve sociale. Ky konglomerat ka ndërtuar tashmë një sistem të tërë pikash referimi, shijesh, heronjsh e antiheronjsh, objektivash dhe këndvështrimesh. Urrejnë Amerikën liberale, hedhin dyshime mbi çdo ngjarje e fenomen me peshë që shfaqet në horizont, mohojnë çdo teori shkencore apo të provuar nga standarti zyrtar i shkencës dhe politikës dhe janë skeptikë për të gjithë sistemin e vlerave mbi të cilat ngrihet bota e sotme e qytertëruar.

Nga modë e internetit dhe monopol i një grupi të vogël politikanësh nëpër vendet e Perëndimit, ky qëndrim kundërshtues ka marrë përmasa botërore pas ardhjes së Trump në fuqi dhe pas shfaqjes së pandemisë. Është e paimagjinueshme sesi e djathta amerikane ka sot në krye një figurë politike (Donald Trump),i cili e quan veprim gjenial të Putin përgjakjen tragjike të Ukrainës. E paimagjinueshme është gjithashtu sesi disa nga partitë ksenofobe evropiane si Lega Nord apo Fronti Kombëtar në Francë bëjnë thirrje për ndërprerje të sanksioneve kundër Rusisë dhe shprehin admirim publik për Vladimir Putin.

Në Shqipëri, si çdo fenomen që banalizohet kur distilohet në batakun shqiptar, ky qëndrim anti-sistem ka pësuar disa degëzime që i përshtaten situatës konkrete që kalon Shqipëria e sotme. Të dyja, edhe pandemia edhe fushata ruse në Ukrainë, po shihen me disa syze kaq të çuditshme e groteske, saqë është e vështirë të mos qeshësh dhe dëshpërohesh njëherësh. Prej muajsh një pjesë e madhe elektoratit opozitar e ka konsideruar qëndrimin anti-vaksinë si një akt jo vetëm antiqeveritar, por edhe antiamerikan. Shahen jo vetëm Rama dhe vaksinat që ai ka sjellë, por edhe Fauçi, Soros dhe Bill Gates bashkë me “socialistët” që kanë pushtuar Uashingtonin.

Të njëjtin qëndrim e gjen këto orë tek përkrahës të njohur opozitarë në rrjetet sociale, ndaj fushatës ushtarake kundër Ukrainës. Në mënyrën më tragji-komike kjo kategori skribësh të internetit e përjeton gjakosjen e Kievit edhe si një mënyrë për të dalë kundër “Kimetes dhe Blinkenit”! Një çmenduri që vetëm mendje të prishura mund ta imagjinojnë në këtë formë dhe në këto përmasa. Ky është një qëndrim që merr frymëzim pa më të voglin dyshim tek fushata e gjatë politikee muajve të fundit për “sovranizmin” në politikën shqiptare. I cili ka vetëm një përkthim të mundshëm: të qenit kundër SHBA dhe administratës amerikane! Dhe kësaj i thonë të nxjerrësh sytë e tua, duke kërkuar të rregullosh vetullat e sovranistëve të Shtëpisë së Lirisë.