Presidenti Armand Duka dhe drejtuesit e tjerë të FSHF shkelin me të dyja këmbët Statutin. Edhe pse në kreun 3, pika 3 të Statutit thuhet se “Federata është asnjanëse në çështjet politike dhe fetare”, Armand Duka nuk do t’ia dijë. Sikurse mund të shihni dhe nga kjo foto, të gjithë drejtuesit e FSHF-së janë vënë në rresht nga Armand Duka duke mbushur sallën e Pallatit të Kongreseve në Konventën e Partisë Agrare Ambientaliste që drejtohet nga i vëllai, Agron Duka.I pranishëm është jo vetëm Presidenti i Federatës Armand Duka, por dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, trajneri i Kombëtares U-21 Alban Bushi dhe Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv.

Në një kohë që Armand Duka deklaron se kryebashkiakët nuk duhet të përfshihen në futboll, edhe pse ata kanë të drejtë pasi janë aksionerë të ekipeve të futbollit, mjafton të shohim këtë foto për të kuptuar standardin e dyfishtë të kreut aktual të FSHF-së. Kujtojmë se vetë Armand Duka erdhi i mbështetur politikisht gjatë kohës që i vëllai Agron Duka ishte ministër. Gjatë këtyre 20 viteve në krye të FSHF-së, paraja dhe politika janë miksuar sëbashku duke krijuar një vatër korrupsioni përmes shitjes dhe trukimit të ndeshjeve në kampionatin shqiptar të futbollit.