Massimiliano Allegri shijon fitoren në fushën e Empoli-t, por konfirmon fjalët e thëna në prag të ndeshjes: Juventus-i i tij nuk është në luftë për titullin.

“Kuota për titullin është 84-85 pikë”, ka thënë trajneri i bardhezinjve pas ndeshjes. “Ne mendojmë për vendin e 4-t. Titulli është çështje e Milan-it, Inter-it dhe Napoli-t”.

Për Vlahovic: “Është një lojtar i rëndësishëm. Nuk kishim një si ai në ekip. Nuk është se nuk e prisja, duke e njohur djaloshin si karakter: është një që do të fitojë dhe ka dëshirë të mësojë shumë. Mund të përmirësohet akoma. Sot ka lëvizur më shumë dhe ka qenë një avantazh për të gjithë”.

Asnjë krahasim me numrin e mëparshëm 7, njëfarë Cristiano Ronaldo.

“7 e mëparshme ka bërë një karrierë të jashtëzakonshme, 5 Topa të Artë, 4 Champions League (5 në të vërtetë). Besoj se nuk mund të krahasohet, ai është në fillimin e karrierës”, ka shtuar Allegri në intervistën e dhënë për DAZN.

“Ka cilësitë për të bërë një karrierë të madhe. Gjëja e rëndësishme për të arritur në nivele të larta është të kesh një forcë mendore e çmendur. Duhen shumë ndeshje me Juventus-in, shumë ndeshje në Champions. Është një rrugëtim që e ka nisur tani”.