Qeveria Shqiptare e ka gati një paketë sanksionesh ndaj Rusisë, e cila tashmë besohet se ka marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Burime në dijeni të hartimit të këtyre sanksioneve të qeverisë shqiptare, i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se gjatë 48 orëve të fundit për drejtorinë juridike në kryeministri në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe partnerët, kanë qenë intensive në hartimin e këtyre sanksioneve.

Po të njëjtat burime shpjeguan se paketa shqiptare e sanksioneve ruse, mund të prezantohet nga vetë kryeministri Edi Rama apo shefja e diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka.

Po ashtu Top Channel mëson se kryeministria është duke koordinuar punën me disa ministri për ndryshim të menjëhershëm të legjislacionit shqiptarë, në mënyrë që sanksionet e vendit tonë, ndaj Rusisë të jetë efektive dhe e zbatueshme 100%.

Sugjerohet se paketa shqiptare ka më shumë se 10 sanksione kundrejt shtetit Rus.

Kryeministri Edi Rama u angazhua gjatë takimit të udhëheqësve të NATO-s dy ditë më parë për t’ju bashkuar sanksioneve.

Në parlament të enjten ministria e punëve të Jashtme, Olta Xhacka deklaroi se “Ne do të bashkohemi edhe me këto sanksione të reja vendosur nga BE”.

Për momentin në rajonin e Ballkanit Perëndimor Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë publikuar listën e sanksioneve të tyre ndaj Moskës.

Top Channel