Rreth 55 mijë drejtues mjetesh do të marrin një shërbim më cilësor pas rehabilitimit të mjediseve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Laç.

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja bëri të ditur se godina tashmë është transformuar rrënjësisht.

“Në 1 minutë metamorfoza e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Laç (Kurbin), pas një historiku shumëvjeçar zhuli, llumi e përmbytjesh nga shirat, tashmë e transformuar rrënjësisht me kushte dinjitoze pune e shërbimi për mbi 55,000 drejtues mjetesh”, u shpreh Gonxhja.

DRSHTRR Laç ofroi 111,000 shërbime në vitin 2021 duke mbuluar edhe Lezhën, Rrëshenin dhe Mirditën.

Në të gjithë vendin janë në proces riparimi drejtoritë rajonale të Dibrës, Beratit, Korçës dhe Laçit. Ndërkohë ka përfunduar riparimi i drejtorive rajonale në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Sarandë si dhe dega Lushnjë.