Papa Francesku ka dhënë një intervistë të rrallë televizive të dielën. Kreu i Selisë së Shenjtë zhvilloi një vizitë të papritur në një dyqan disqesh muajin e kaluar, por siç rrëfeu jo për të bërë blerje, por për t’i dhënë bekimin sipërmarrjes së miqve të tij. Megjithatë ai tha se e donte muzikën, kryesisht ata klasike dhe tangon.

“Pikë së pari nuk shkova për të bërë blerje. Ata njerëz janë miqtë e mi prej vitesh dhe riorganizuan dyqanin. Shkova për t’i dhënë bekimin. Ishte natë, por një gazetar gjendej aty dhe prandaj lajmi u bë publik. Por është e vërtetë që unë dëgjoj muzike. Më pëlqen muzika klasike, por edhe tango”, u shpreh Papa.

I pyetur nëse kishte kërcyer tango gjatë rinisë së tij në Argjentinë, 85-vjecari tha se “kush nuk kërcën tangon nuk është një porteno”, termi që i referohet banorëve te Buenos Airesit në spanjisht.

Në intervistën prej një ore për kanalin 3 të RAI, Francesku përmendi gjithashtu disa prej çështjeve kyçe të Papatit të tij, duke dënuar shpenzimet e tepruara për armatime, ngurtësinë ideologjike të konservatorëve në Kishë dhe duke mbrojtur të drejtat e emigrantëve.

Intervista u zhvillua me lidhje satelitore nga studio e RAI në Milano me rezidencën modeste të Santa Marias ku jeton Papa në Vatikan. 85-vjecari ka refuzuar të qëndrojë në apartamentet e izoluara, por me shumë hapësirë në pallatin apostolik të Vatikanit, si paraardhësit e tij. Kjo, pasi siç thotë, nuk është shenjtor.

“Një prej arsyeve përse nuk shkova të jetoj në apartamentin papnor, ishte pas nuk jam shenjtor, si ata që kanë qenë atje përpara meje. Unë dua të kem marrëdhënie njerëzore e prandaj jetoj në këtë hotel në Santa Maria, ku mund të takoj e të flas çdo ditë me njerëz apo miq. Kjo është një jetë më e lehtë për mua. Kam nevojë për miq; ata janë të paktë, por të vërtetë”, përfundoi Ati i Shenjtë.