Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Kukës, në eventin e prezantimit të katër destinacioneve të kompanisë WizzAir nga aeroporti i Kukësit.

Rama theksoi se pas një periudhe të rëndësishme bashkëbisedimesh dhe analizash, sot fillojnë prenotimet për katër destinacionet e para nga Kukësi, në tre shtete Austri, Gjermani dhe Zvicër. Kryeministri premtoi se do të këmbëngulte që në listën e këtyre destinacioneve të shtojë edhe Anglinë, në mënyrë që :”The London boys of Kukës” të fluturojnë nga Kukësi për në Angli e anasjelltas, me tarifa të ulta.
“Kjo është dita për t’iu thënë të gjithë atyre që s’kanë kapacitet durimi, se punët e mira kërkojnë durim. Fjalët i merr era, ndërsa punët e mira mbeten. Jam i sigurt që ky aeroport dhe kjo zonë ka një të ardhme fantastike. Sot është një ditë shumë ë bukur dhe jam shumë i kënaqur që sot jemi këtu për t’i dhënë një mundësi të re të gjithë banorëve të Kukësit dhe trevës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për tre vende me katër destinacione.” tha ai.

Rama shtoi se: ”Vetëm nga kjo kompani dhe nga oferta e saj, por në kontekstin e uljes tërësore të peshës së kostove të aeroportit të Tiranës, u janë kursyer qytetarëve shqiptarë 120 milionë euro dhe llogaria që ne bëjmë është dyshin i kësaj shifre, kjo vetëm nga bileta. Falë koncesionerit të ri të aeroportit të Rinasit, që më në fund është shqiptar, sot aeroporti i Tiranës nga jo konkurrues në Europë, është shndërruar në një prej aeroporteve më konkurrues.”

Kryeministri vendosi theksin te punësimi, ku sot ka 200 shqiptare të punësuar dhe plani është për të shkuar në 500 të punësuar. Ku në muajt në vijim do hapen thirrjet dhe ftohen qytetarët për të aplikuar.