Polonia po përgatit një tren për të transportuar ukrainasit e plagosur nga sulmet ruse, ka thënë ministria e Shëndetësisë së vendit për Reuters.

“Polonia po përgatitet të pranojë emigrantë nga Ukraina , përfshirë qytetarët ukrainas të prekur nga konflikti i armatosur.Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që çdo person që hyn në territorin e Polonisë të ketë akses në kujdesin shëndetësor, përfshirë shtrimin në spital. Në spitale po përgatiten shtretër për pranimin e të plagosurve”, thamë autoritete zyrtare.

Ministri i Shëndetësisë i Polonisë, Adam Niedzielski, deklaroi se Polonia ka përgatitur një listë me 120 spitale ku mund të trajtoheshin personat e prekur nga konflikti në Ukrainë.

“Në total, ne vlerësojmë për momentin se do të ishte e mundur të pranoheshin disa mijëra pacientë të lënduar si rezultat i armiqësive, përfshirë ata të plagosur rëndë”, tha ai për mediat lokale.

Sipas Komandës së Forcave të Ukrainës, katër persona kanë humbur jetën dhe 10 kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me predha në një spital në Vuhledar në Donetsk në Ukrainën lindore, shkruan The Guardian

Mes të plagosurve janë gjashtë mjekë.

Ukraina ka thënë se Rusia ka kryer 203 sulme në të gjithë territorin gjatë ditës së sotme. Sipas një deklaratë të ministrisë së jashtme të Ukrainës, zyrtarët thanë se një helikopter rus K-52 dhe tre helikopterë pranë Gostomel janë rrëzuar në rajonin e Kievit pranë Mezhyhirya.