Më shumë se 200 000 tonë mbetje mjekësore, kryesisht plastike, janë grumbulluar në mbarë botën si rezultat i pandemisë së koronavirusit, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, miliarda vaksina që nga fillimi i pandemisë kanë gjeneruar të paktën 144 000 tonë gjilpëra, shiringa dhe kontejnerë grumbullimi të përdorura për to.

Për më tepër, vetëm midis marsit 2020 dhe nëntorit 2021, Kombet e Bashkuara dërguan 87 000 tonë veshje sanitare mbrojtëse.

”Testet që janë përdorur për koronavirusin përmbajnë deri në 2 600 tonë mbeturina shtesë dhe 731 000 litra mbetje kimike. Maskat mbrojtëse për përdorim privat nuk janë përfshirë në vlerësime”, tha më tej OBSH.

“COVID-19 e ka detyruar botën të merret me boshllëqet dhe aspektet e neglizhuara të rrjedhës së mbetjeve dhe mënyrën se si ne i prodhojmë, i përdorim dhe hedhim poshtë’’, deklaroi Maria Neira përgjegjëse për mjedisin, ndryshimet klimatike dhe shëndetin në OBSH.

Edhe para pandemisë, OBSH paralajmëroi se një e treta e të gjitha objekteve shëndetësore nuk ishin në gjendje të asgjësonin siç duhet mbetjet e tyre.