Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës për t’i vendosur sanksione Rusisë, pasi ky shtet të enjten vendosi që të ndërmarrë hapa ushtarakë për ta pushtuar Ukrainën.

Fillimisht, kryeministri Albin Kurti tha se qëndrojnë krahë shteteve perëndimore për të siguruar paqen dhe mbrojtjen e sigurisë në botë, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Qëndrojmë bashkë për paqe dhe siguri dhe mbrojtjen e demokracisë. Kemi si pikë të parë shqyrtimin e propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Kosovës vendosë sanksione në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe të Këshillit të BE-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, ka thënë Kurti.

Më pas, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të këtij propozim-vendimi ka thënë se Kosova duhet t’i bashkëngjitet botës demokratike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.

“Pas agresionit të djeshëm ushtarak ndaj Ukrainës nga Rusia i cili u dënua ashpër nga krerët e Republikës së Kosovës si dhe nga gjithë bota demokratike dhe duke marrë parasysh shkeljet flagrante të së drejtës ndërkombëtare të sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës nga Rusi,a si dhe sulmi mbi sigurinë dhe paqen globale është e rëndësishme që edhe Kosova t’i bashkëngjitet shteteve demokratike në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera”, ka thënë ajo.

Ajo ka paraqitur edhe sanksionet që ka vendosur Kosova ndaj Rusisë, pas fillimit të këtij sulmi.

“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, imitacioneve financiare dhe individëve; ndalimi i qasjes se tyre në tregjet financiare dhe masa të tjera respektive që shënjestrojnë ndërmarrje të rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politik të përfshirë në marrjen e vendimit për agresionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, ka thënë ajo.

Ky propozim i MPDJ-së u mbështet nga të gjithë ministrat në Qeveri.

Në ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden mbajti një fjalim dje mbi situatën në Ukrainë, ku dënoi Rusinë për fillimin e sulmit ushtarak të enjten dhe njoftoi sanksione të reja të forta dhe kufizime për atë që mund të eksportohet në Rusi.

“Kjo do të imponojë kosto të rënda në ekonominë ruse, si menjëherë ashtu edhe me kalimin e kohës. Ne i kemi projektuar qëllimisht këto sanksione për të maksimizuar një ndikim afatgjatë mbi Rusinë dhe për të minimizuar ndikimin mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” tha ai, shkruan CNN.

Shtetet e Bashkuara nuk po e bëjnë këtë të vetme, tha ai, duke shtuar se 27 anëtarët e BE-së dhe anëtarët e G7 do të marrin pjesë në këto sanksione.

Këtu janë sanksionet që ai shpalli:

Kufizoni aftësitë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund dhe jen për të qenë pjesë e ekonomisë globale.

Ndaloni aftësinë për të financuar dhe rritur ushtrinë ruse.

Dëmtoni aftësinë e tyre për të konkurruar në ekonominë e shekullit të 21-të të teknologjisë së lartë.

SHBA sanksionoi bankat ruse që së bashku mbajnë rreth 1 trilion dollarë aktive.

Ai shtoi, “ne po bllokojmë edhe katër banka të tjera të mëdha. Kjo do të thotë se çdo aset që ata kanë në Amerikë do të ngrihen.”

Me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin, forcat ushtarake ruse kanë filluar sulmin ndaj Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar mbrëmë vdekjet e luftimeve të para Ukrainë – Rusi.

Ai ka thënë se në ditën e parë të luftimeve kanë vdekur 137 ukrainas.

Ndërkaq, inteligjenca britanike vlerëson se janë mbi 450 pjesëtarë të personelit rusë të vrarë gjatë sulmeve në Ukrainë.