Gjatë ditëve të fundit forcat e NATO-s kanë organizuar një mori stërvitjesh ushtarake në zona të ndryshme të Europës duke i pagëzuar me emrin “NeptunStrike”.

Gjithçka ka ndodhur në kuadër të tensioneve në kufirin Ukrainë-Rusi si edhe ambicieve të kësaj të fundit për të kërcënuar kontinentin me ushtri dhe destabilitet.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, faqja e forcave të NATO-s në Letoni, ku bëjnë pjesë edhe ushtarë nga Shqipëria, shkruan se gjatë ditëve të fundit është testuar aftësia e kësaj aleance për t’iu përgjigjur çdo sfide që kërcënon sigurinë.

Faqja ka publikuar edhe foto nga aeroplanmbajtësja “USS Harry Truman”, e cila pak ditë më parë kreu manovra pranë ujërave shqiptare bashkë me anijet dhe avionët që e shoqërojnë gjithnjë.

NATO është organizuar përballë kërcënimin rus duke furnizuar me armë dhe municione Ukrainën në rast të ndonjë pushtimi nga Rusia.

Po ashtu, një ditë më parë në Poloni mbërritën forca të shumta të ushtrisë amerikane duke dhënë një mesazh të qartë ndaj Putinit.