Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se deri sot në total janë kryer 2 623 184 vaksinime anti-COVID.

Vetëm gjatë ditës së djeshme janë kryer 5096 vaksinime.

Gjithashtu janë evidentuar nga mjekët e familjes 51 qytetarë shqiptarë të vaksinuar plotësisht jashtë vendit, nëpërmjet certifikatave të vaksinimit (ose 102 vaksinime të aplikuara jashtë vendit).

Sipas MSHMS, numri total i vaksinimeve të raportuara, përfshin edhe vaksinimet e qytetarëve shqiptarë të kryera jashtë vendit dhe që janë të regjistruara në sistemet tona të integruara, për t’u dhënë të gjithëve mundësinë për të përmbushur procesin e vaksinimit në Shqipëri ose jashtë vendit.

Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.

“Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku”, sqaron Ministria.

MSHMS apelon qytetarët që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë të vaksinës, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese.

Vaksinat anti-COVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.