Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031, në një konferencë me pjesëmarrje të strukturave shëndetësore, specialistë të fushës dhe partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e mbajtur tha se vizioni i këtij programi është që në 10 vite të kemi më pak të sëmurë me tumore, më shumë jetë të shpëtuara dhe më shumë kujdes dhë mbështetje për të sëmurët me tumore dhe për familjet e tyre.

Duke theksuar se janë bërë hapa përpara përsa i përket parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të tumoreve, ky program i ri parashikon dhe një seri ndërhyrjesh të tjera, duke përfshirë për herë të parë financimin e vaksinës HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

“Programet tona të depistimit të hershëm të kancerit të gjirit kanë ecur përpara në sajë të investimeve që janë bërë dhe përpjekjeve maksimale për mbulimin universal, nëpërmjet investimit të gjithë rrjetit të mamografive tashmë në çdo spital rajonal. Fokusi në këtë 10 vjeçar do të jetë rritja e mbulesës së përqindjes së grave që bëjnë këtë ekzaminim, e cila është jetëshpëtuese për çdo grua. Një tjetër komponent në këtë program që ne duam që ta jetësojmë në 3-vjeçarin e ardhshëm, është përfshirja e vaksinës HPV në programin tonë kombëtar. Besoj që me këtë, do t’i japin edhe një nivel të ri të gjithë sistemit të parandalimit primar”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha gjatë fjalës saj se ka një rritje me 70% të pacientëve me tumore që kanë marrë shërbim në sistemin tonë shëndetësor publik, duke e vlerësuar si një tregues që sistemi shëndetësor është i mirëpajisur, duke shprehur bindjen se në 10 vitet do të ketë një përmirësim në trajtimin e tumoreve.

“Sistemi shëndetësor sot është shumë më i aksesueshëm dhe sot kemi mundësi që të bëjmë një trajtim efektiv sipas protokolleve të tumoreve në vend. Por në këto vite kemi rritur me 150% buxhetin për trajtimet me kemioterapi, me imunoterapi. Kemi përmirësuar radioterapinë nëpërmjet investimeve në akseleratorët linearë në shërbimin onkologjik dhe kemi mundësuar që të kemi një qasje multidisiplinare për trajtimin e tumoreve, e cila ka ende shumë për të ecur në raport me trajtimin e personalizuar. Ajo çfarë rezulton në raport me përqindjen e fataliteteve të standardizuara, duke marrë këtu moshën aktive të punës, kemi një ulje. Dhe nga ana tjetër kemi një rritje me 70% të pacientëve që kanë marrë shërbim në sistemin tonë shëndetësor publik. Çfarë do të thotë? Do të thotë që, nëse kemi një rritje të incidencës së tumoreve 16%, kemi një rritje me 70% të pacientëve që kanë marrë shërbim. Do të thotë që sistemi shëndetësor sot është shumë më i mirëpajisur, është shumë më i aksesueshëm”, tha Manastirliu.

Duke folur për trajtimin paliativ të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumoriale, Manastirliu tha se në këtë program 10-vjeçar është vendosur shtrirja kapilare në vend e shërbimit paliativ, jo vetëm në qendrat e posaçme në çdo rajon, por duke e përfshirë akoma më shumë këtë shërbim tek mjeku i familjes.

Mbi 6 mijë raste të reja me kancer identifikohen çdo vit në vendin tonë. Sëmundjet kanceroze të diagnostikuara më shpesh në Shqipëri janë kanceri i mushkërive dhe kanceri i gjirit. Kanceret e lëkurës, megjithëse me rrezikshmeri më të ulët, jane gjithashtu shumë të shpeshta. Këto 3 kategori semundjesh tumorale përbëjnë së bashku pothuaj 40% të të gjitha rasteve të reja të raportuara çdo vit nga sistemi shëndetësor.

Shtrimet në spital në sistemin shëndetësor publik nga sëmundjet kanceroze dhe tumorale kanë ardhur në rritje të vazhdueshme si për meshkujt edhe për femrat. Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit.