Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, ka reaguar për miratimin e afateve të vettingut nga Kuvendi. Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Ambasada Gjermane në Tiranë sjell fjalën e Zingraf, i cili përgëzoi deputetët për votimin.

Ai përshëndeti më tej faktin se opozita parlamentare mundësoi vendimin me shumicë duke u mbështetur në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE, shkruan më tej Zingraf.

Postimi i plotë: | Ambasadori Zingraf u shpreh sot rreth vendimit të Kuvendit: „Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.“