Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, së bashku me Kryetaren e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla dhe Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Z. Rakip Suli, vizituan shkollën e re “Ahmet Zogu”, e cila ofron kushte bashkëkohore për 1210 nxënës dhe 70 mësues, me laboratorët e biologjisë, fizikës, informatikës, 3 terrene sportive, sallën e shahut e pingpongut, një ambient për fëmijët me nevoja të veçanta, etj.. Rikonstruksioni total i kësaj shkolle u bë me fondet e qeverisë në një kohë rekord prej afro 6 muajsh nga bashkia Kamëz.

Gjatë kësaj vizite ministrja Kushi u takua me mësues dhe nxënës të kësaj shkolle.
“Kjo ka qenë një nga javët më e bukura të punës sime, sepse e fillova ditën e hënë me përurimin e një shkolle në Kavajë, ‘Aleksandër Moisiu’, dhe po e mbyll javën me përurimin e një shkolle po aq të bukur ‘Ahmet Zogu’ në Kamëz. Do të doja që të gjitha javët e mia të ishin kështu, pasi nuk ka investim më të mirë se sa investimi në arsim.” – u shpreh Kushi.

Gjithashtu, Znj. Kushi, Znj. Nikolla dhe kryebashkiaku Z. Suli kanë vizituar edhe kopshtin “Gjeniu i vogël” dhe çerdhen “Diell”, të cilat së bashku me shkollën janë 3 objekte arsimore të ndërtuara nga e para falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare, me standartet më moderne për qindra nxënës dhe fëmijë të Kamzës.

Ministrja Kushi falënderoi kryetarin e bashkisë Rakip Suli për përkushtimin dhe punën në ndërtimin e dhjetëra institucioneve arsimore në Kamëz brenda një harku të shkurtër kohor.