41% e votuesve durrsakë zgjedhin socialisten Emiriana Sako në krye të bashkisë, nëse zgjedhjet e 6 marsit do të mbaheshin sot.

Në garën Brenda partisë Demokratike, kandidati i Shtëpisë së Lirisë do të merrte më shumë vota. 24,9% janë shprehur se do të zgjidhnin Ardian Mukën, kandidatin e mbështetur nga Sali Berisha. Në favour të kandidatit të Partisë Demokratike, Luan Hoti, janë përgjigjur 11,6% e qytetarëve të Durrësit.

Barometri i Euronews Albania pyeti qytetarët me të drejtë vote në Durrës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe kandidatët për bashkinë e tyre.

Numri i të pavendosurve për bashkinë e Durrësit është 10,9% ndërsa 10% janë përgjigjur që nuk do të votojnë në zgjedhjet e 6 marsit.

Kur analizohen vetëm votuesit e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit 2021, më shumë se gjysma e durrsakëve, 55% mbështesin kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Ardian Muka.

30% e tyre zgjedhin kandidatin e Partisë Demokratike për kryetar bashkie, Luan Hoti, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot.

Rezultatet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe Data Centrum në bashkinë Durrës, në datat 9-12 shkurt me 1000 intervista ballë për ballë në familje.