Shqipëria ka parakaluar në ceremoninë e nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Pekin të Kinës .

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto nga momenti kur flamuri dhe delegacioni i Shqipërisë parakaluan këtë ceremoni.

“Flamuri i Shqipërisë në stadiumin Olimpik të Pekinit”, shkruan Rama.

Ceremonia madhështore u mbajt në stadiumin e Pekinit, që njihet ndryshe edhe si ‘Foleja e Zogjve’ ku parakaluan me radhë të gjithë shtetet.

Skiatori Deni Xhepa ishte flamurmbajtësi i Shqipërisë në parakalimin simbolik të Lojërave. Ai është sportisti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto Lojëra Olimpike. Xhepa do të garojë më 13 dhe 16 shkurt në dy disiplina të ndryshme.

KOKSH njoftoi se për shkak të masave anti-Covid, ekipi ynë ishte më i vogël në numër në këtë ceremoni.

Flamuri Shqiptar u valëvit në çeljen e aktivitetit më të madh të sporteve dimërore, Lojërat Olimpike Dimërore “Beijing 2022” në kryeqytetin e Kinës, Pekin, i cili është kryeqyteti i vetëm që ka mirëpritur edicionin e Lojërave Olimpike Verore 2008 dhe ato Dimërore 2022.