Na duhet zgjidhje, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe vlerat evropiane dhe kjo zgjidhje duhet të rezultojë me heqjen e vetos nga ana e Bullgarisë dhe të shërbejë EDHE si bazë për bashkëpunim të mirë mes dy vendeve, deklaroi kryeministri maqedon, Dimitar Kovaçevski, në një intervistën për gazetën e përditshme belge ”La libre”.

Ai ka shtuar se procesi i fillimit të negociatave të vendit me BE-në po zgjat shumë dhe për shkak të kësaj nuk po kursehen përpjekjet e përshpejtimit të bisedimeve me Bullgarinë.

”Te ne ekziston konsensus për integrimet euro-atlantike. Kemi arritur një nga qëllimet tona me hyrjen në NATO. Ajo për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ende nuk është arritur. Kemi marrë vendime të vështira si vend që të mund të bëhemi anëtare e NATO-s dhe të mund të hapim negociatat me BE-në. Bashkimi Evropian duhet të plotësojë premtimet e tij për Maqedoninë e Veriut duke pasur parasysh katër raportet pozitive të Komisionit”, theksoi ai.

Ai ka shtuar se ”fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut do të ketë efekt që të shtyjë përpara edhe vendet e tjera të rajonit dhe të motivojë të përshpejtojë përpjekjet e tyre për hapjen ose vazhdimin e negociatave aderuese”.

”Kemi pasur bisedime shumë të frytshme (me Bullgarinë – shën. i përkth.) dhe kemi arritur në përfundimin se nevojitet të kthehet besimi mes dy qeverive, por edhe mes shoqërive dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, shtoi Kovaçevski.

”Procesi i fillimit të negociatave me BE-në ka zgjatur shumë. Ne nuk kursejmë përpjekjet që të përshpejtojmë bisedimet me Bullgarinë. Tek ne ekziston konsensus për integrimet euroatlantike”, përfundon Kovaçevski në intervistën për ”La Libre”./