Kandidati për President i Federatës Shqiptare të Futbollit Dritan Shakohoxha ka kallëzuar në prokurori Aldi Topçiun, me detyre Drejtor i Departamentit Juridik i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në kërkesë paditë drejtuar organit të akuzës, Shakohoxha thekson se zyrtari i lartë i FSHF-së ka konsumuar disa vepra penale gjatë ushtrimit të detyrës si “Pengime për ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 320, 321 dhe 248 i Kodit Penal.
“Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme dhe ndjekjen penale të shtetasit Aldi Topçiu, me detyrë Drejtor i Departamentit Juridik pranë FSHF¬së, i cili vijon të ndërmarrë veprime të kundraligjshme në shkelje të urdhërimeve të vendimit Nr. 274 Rregj. Themeltar, datë 17.02.2022, të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta me qëllim pengimin e ekzekutimin e vendimit gjyqësor përkatës, ku është vendosur pezullimi i plotë i procesit zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit të FSHF-së, deri në zgjidhjen e çështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Shkeljet e realizuara nga shtetasi Aldi Topçiu janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, duke favorizuar drejtuesin aktual të FSHF-së”, thuhet në padi.

Shakohoxha shprehet se në kundërshtim me vendimin gjyqësor, rezulton se me shkresën Nr. 108 Prot, datë 21.02.2022, dërguar nga FSHF-ja, kallëzuesi në cilësinë e kandidatit për President të FSHF-së, është informuar në lidhje me vijimin e procedurave të zhvillimit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 02.03.2022. Kandidati Shakohoxha nënvizon se janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore nga strukturat pranë FSHF-së, si dhe janë konstatuar shkelje në mbledhjet e zhvilluara nga Shoqatat Rajonale të Futbollit, në lidhje me përzgjedhjen e delegatëve pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
“Pavarësisht urdhërimeve të vendimit gjyqësor të sipërcituar, rezulton se Drejtori i Departamentit Juridik pranë FSHF-së, vijon procedurat për zhvillimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke moszbatuar vendimin gjyqësor. Madje duke bërë edhe deklarata publike”, thekson Shakohoxha në padinë e depozituar në prokurori.