Pas barazimit në “Derby della Mole”, Juventusi po shikon nga takimi i 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë, në fakt do të jenë në skenë të martën në “Estadio de la Ceramica”, fortesa e Villarrealit të Unai Emery. Massimiliano Allegri befas duhet të përballet me emergjencën që ka goditur repartin e mbrojtjes së tij.

Pas dëmtimit të Giorgio Chiellinit, i cili me siguri do të mungojë në ekspeditën iberike, u shtua edhe pengesa që ndaloi Daniele Ruganin. Mbrojtësi toskan, gati të vishte një fanellë startuese kundër Torinos, ndaloi pikërisht në ngrohjen para ndeshjes derbi. Ky problem lëndimi do ta lërë atë jashtë veprimi edhe ndaj “Nëndetëses së Verdhë”.

Për ta rënduar bilancin e lëndimeve është situata e Leonardo Bonucci, i lënë për të pushuar në derbi si masë paraprake. Bardhezinjtë janë në pritje për të kuptuar nëse do të jetë në gjendje të rikthehet në dispozicion për të parën ndeshje kundër Villarealit.

Me rrezikun real për të bërë pa tre nga katër lojtarët qendrorë, Allegri në fakt detyrohet të rikrijojë linjën e mbrojtjes. Lajmi më i lumtur është padyshim rikthimi i Danilos, i skualifikuar në Serie A dhe ndoshta i gatshëm për t’iu bashkuar De Ligt në qendër të prapavijës.

Kapitulli i mbrojtësve të krahut? Me spostimin e ish-it të Realit dhe City në qendër, në të djathtë shkohet drejt konfirmimit logjik të Cuadrado, ndërsa në të majtë sigurisht që do të luajë De Sciglio, duke pasur parasysh mungesën e mundshme të Pellegrini, që gjithashtu përfundoi i lënduar gjatë sfidës kundër skuadrës së Juric.

Cuadrado, Danilo, de Ligt, De Sciglio; kjo do të jetë mbrojtja e mundshme me të cilën Juventusi do të prezantohet në Spanjë.