Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në muajin janar të këtij viti llogariten në 6.6 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e tretë tregtar.

Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, në muajin janar të këtij viti shkëmbimet tregtare arritën mbi 7 miliardë lekë.

Eksportet drejt Gjermanisë shënuan rritje përkundrejt të njëjtës periudhë të 2021-ës. Në vlerë ato arritën në 3.7 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që llogariteshin në janar të 2021-shit.

Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme, në rritjen e eksporteve, kontribuesit më të mëdhenj ishin grupi “tekstile dhe këpucë”, pasuar nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale”.

Referuar të dhënave, edhe importet nga Gjermania shënuan rritje kundrejt të njëjtës periudhë të 2021-ës duke arritur në 3.2 miliardë lekë, nga 3.1 miliardë lekë që ishin në 2021-shin.

Qeveria Federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend.