Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës që i dha atij të drejtë në betejën me Federatën Shqiptare të Futbollit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ka ndarë dhe lajmin, Veliaj shprehet se beteja për futbollin e Tiranës u fitua.

“Betejën për Tiranën e fituam! Ju falenderoj të gjithëve nga zemra që besuat e mbështetët kauzën e pastrimit të llumit nga futbolli! Gjykata foli, le ta respektojmë! Por duhet që secili të bëjë betejën e vet në çdo qytet, të pastrohet sporti nga bandat!” – shkruan Veliaj.

Gjykata e Tiranës vendosi të mos pranojë zgjedhjet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për Shoqatën Rajonale të Tiranës, duke i cilësuar ato të manipuluara. Gjykata ka njohur asamblenë e thirrur nga kryebashkiaku Veliaj si dhe ka regjistruar Eduard Prodanin si drejtues të Shoqatës Rajonale të Tiranës.

Ky i fundit përmes një reagimi u shpreh se “nuk kishte si të ndodhte ndryshe. “Një dhunim i tillë i zgjedhjeve nuk kalon dot në asnjë gjykatë që zbaton ligjin dhe parimet e përgjithshme të zgjedhjeve të drejta,” u shpreh Prodani, duke shtuar se FSHF nuk ishte përballur asnjëherë realisht me drejtësinë për “kasaphanat” e saj zgjedhore.