Harrojini plazhet dhe kryeqytetin plot gjallëri, Tiranë, pasi, pak kilometra larg kufirit grek, Shqipëria është një vend që pret të zbulohet, shkruan Francesca Masotti për faqen më të njohur turistike italiane, thetravelnews.it.

Përmeti djepi i gastronomisë shqiptare

Nuk mjafton një orë gatimi për të mësuar përgatitjen e byrekut, por sigurisht që është një fillim i mbarë. Për ata që duan të provojnë dorën e tyre në këtë art kulinar tipik të traditës shqiptare, ”Villa Përmet” është adresa që duhet shënuar në axhendë gjatë një udhëtimi në Tokën e Shqiponjave.

Në këtë rezidencë të lashtë të fundit të shekullit XIX, e vendosur në qytetin me të njëjtin emër dhe e rinovuar kohët e fundit, brumoset, mbushet dhe më pas shijohet, ulur në tavolinat në tarracë me një pamje panoramike të qendrës dhe maleve, ky byrek i shijshëm, i domosdoshëm në çdo tryezë ballkanike.

Një xhiro mes kishave antike dhe një shëtitje përgjatë lumit Vjosa, e më pas drejt e në banjat termale të Bënjës, e konsideruar nga specialistët si ndër më të mirat në Evropë, mbretëria e relaksit në tokën shqiptare. Një urë guri, lumi i Langaricës me kanionin, një ndalesë ekskursioni për ata me këmbë të stërvitura mirë, pishina natyrore ku rrjedh ujë shërues dhe një pamje që të lë pa fjalë.

Është e vështirë të kërkosh më shumë.

Leskoviku toka e egër

Itinerari vazhdon në jug, drejt Leskovikut. Gjatë rrugës përshkon lumin Vjosa që i shoqeron në heshtje kalimtarët në këtë pjesë të fundit të tokës shqiptare përpara kufirit. Greqia është pak kilometra larg dhe pamjet të lënë pa frymë dhe që askush nuk do ta imagjinonte t’i gjente në jug të gadishullit ballkanik: pyje bredhash, male, pyje, maja shkëmbore që ndjekin njëra-tjetrën dhe alternohen deri në qytetin e vogël të gurtë të Leskovikut.

Gjashtë kilometra larg qendrës historike, kantina e verës ”Max” prodhon verën e kuqe më të mirë në Shqipërinë e Jugut. Një kombinim unik i Mavrud, Merlot dhe Pinot i rritur në këtë zonë të vendit gjatë diktaturës. Me rënien e regjimit në vitet 1990, shumë hardhi në zonë u prishën, por kohët e fundit kantina e verës i është rikthyer investimit në zonë. Rezultati është një fushë e madhe prej 16 hektarësh në një lartësi prej 750 metrash mbi nivelin e detit me ekspozim jugor, ku rriten Merlot, Mavrud, Pinot, si dhe Perla, e përdorur për prodhimin e rakisë dhe një liker i njohur me aromë nga Ballkani, dhe Debinë, kultivar autokton. Këtu mund të hani edhe në restorantin ku shërbehen gatime të gastronomisë lokale, duke përfshirë lakrorë dhe byrekë të shijshme tipik të zonës e mbushur zakonisht me spinaq, perime të freskëta nga kopshti, djathëra dhe gjalpë, apo të flini në një nga 3 dhomat me pamje nga malet përreth dhe të vizitoni kishën e shën Helenës dhe Kostandinit e vitit 1800.

Sotira mbretëria e relaksit

Ndalesa e fundit në këtë itinerar të pazakontë në Shqipërinë e Jugut është ferma Sotira. Ferma, rreth një orë larg nga qyteti i Ersekës mund të vizitohet në gjysmë dite, është vendi i përsosur nëse keni nevojë të shkëputeni nga rutina dhe të zhyteni plotësisht në natyrë. Dhomat në fermë janë vendosur në shtëpi njëkatëshe prej druri me çati të pjerrëta me pamje nga një luginë e gjerë ku, në mëngjes, kullosin delet dhe kafshët e tjera të fermës.

Me zhurmën e ziles së tyre zgjohesh para se të shkosh në oborr për një mëngjes me vezë pule dhe qumësht të freskët. Pas shtëpive njëkatëshe gjendet një pyll me bredha të zinj që rrethon shtëpinë në fermë. Mes shëtitjeve apo kalërimit, ekskursioneve, zhytjeve në pishinë, vakteve të bazuara në produktet vendase dhe një gjumë relaksues, pushimi është i garantuar.

Dhe bukuria gjithashtu