Dërgesa e parë e vaksinave kundër Covid-19 e prodhuar nga kompania amerikane Novavax pritet të mbërrijë në një magazinë të qeverisë gjermane të mërkurën, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë.

“Dërgesa pritet të përfshijë 1.4 milionë doza , të cilat do të shpërndahen menjëherë në 16 shtetet e vendit”, tha një zëdhënës duke shtuar se administrimi i vaksinës së re do të fillonte brenda javës së ardhshme.

Qeveria gjermane shpreson që Novavax të shërbejë si një mënyrë për të bindur personat që i kanë rezistuar vaksinimit deri më tani të kryejnë injeksionin. Rreth një e katërta e popullsisë gjermane është ende e pavaksinuar.

Megjithatë, nëse do të ketë një ndikim më të gjerë në betejën kundër koronavirusit në Gjermani mbetet ende e paqartë.

Vaksina Novavax kundër koronavirusit, ndryshe nga vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna bazohet në modelin klasik të vaksinës, ku grimcat e saj të ngjashme me virusin përmbajnë glikoproteinën e koronavirusit dhe një përforcues ndaj efektit. Metoda është përdorur gjerësisht, duke përfshirë vaksinat e gripit.