Nga Flogert Muça/ Lulzim Basha është i shushatur nga Foltorja e Sali Berishës dhe nga mundja e vazhdueshme që Edi Rama i bën në çdo palë zgjedhje ndaj ka hyrë nëpër ca shtigje argumentesh ku më shumë del blof sesa ndërton aksion apo argument politik. Ai sot (prej muajsh në fakt) po përpiqet që të ndërtojë në opinion publik përceptimin se Rama është krah Metës e Berishës, dhe se ai (Luli pra), është politikani i ri, i pastër e vizioari që do ta çojë Shqipërinë drejt begatisë së madhe.

Tani kjo është qesharake për një milion arsye, duke filluar nga fakti që Basha është produkt i Berishës, tre herë ministër i tij dhe kryebashkiak i Tiranës. Në secilin post mbart mbi vete dyshime të forta korrupsioni (rruga e Kombit), tradhëti kombtare (marrëveshja e detit) , urdhër-vrasje (21 janari). Pa harruar lidhjet me lobistët rusë në zgjedhjet e 2017-ës, që sot vetë Sali Berisha e ka si argument kryesor ndaj Bashës.

Por, përtej biografisë së Bashës që e di i madh e i vogël në këtë vend, ajo që vazhdon ta përkeqësojë pozitën e tij në skenën politike është strategjia e tij për të asociuar kryeministrin Rama me Ilir Metën. Në një kohë kur personi i vetëm që e ka bërë Ilir Metën të fluturojë nga mendja është Edi Rama, në një kohë kur Ilir Metën e ka shkarkuar në Kuvend Edi Rama, në një kohë kur Ilir Metën dhe partinë e tij e ka sulmuar më shumë se kushdo Edi Rama, Lulzim Basha del e thotë që kryeministri ka aleat Metën? Në një kohë kur Ilir Meta i jap partinë me qera Sali Berishës, Lulzim Basha mendon se ai është aleat i Ramës?

Po me sa mend në kokë, cilët janë ata që e këshillojnë Bashën që të tentojë të bëjë këtë asociim sot në ditën që Kushtetuesja merr vendimin për Ilir Metën (i cili siç e thamë më lart është shkarkuar nga Edi Rama në Kuvend) ? Ku ishte Lulzim Basha kur Rama bënte betejë politike me Ilir Metën? Në rastin më të keq Basha ishte në heshtje, në rastin më të mirë ai ishte në koalicion me LSI dhe me Ilir Metën.

Pikërisht këto paradokse e bëjnë Lulzim Bashën të mbetet ai njeriu që nuk bëhet dot lider sepse nuk krijon dot asnjë fabul të besueshme.