Nga Ylli Pata/Sulmin kundër Lulzim Bashës, Ilir Meta e paralajmëroi që përpara zgjedhjeve të 25 prillit, kur foli për një rimarrje të opozitës nga ana e tij. Por pas zgjedhjeve parlamentare, Meta nuk ju vërsul direkt kreut të Partisë Demokratike. Ai dhe Monika kryemadhi patën në fillim një zbutje e “reflektim të gjatë” sa Nikollë Lesi e quajti “Presidenti danez” në një nga shkrimet e tij me ironi.

Por, sapo Basha përjashtoi Berishën nga grupi, goditjet ndaj kreut të PD-së u koordinuan si një makinë precise ndërmjet Sali Berishës dhe Ilir Metës.

E një nga fabulat e tij akuzuese dhe denigruese për Bashën që përdor Meta, por edhe Kryemadhi në qëndrimet e saj janë djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Në mënyrë publike, Meta ka deklaruar edhe në vitin 2019 se nuk ishte dakord që të digjeshin mandatet apo edhe të bojkotoheshin zgjedhjet e 30 qershorit. Por nga të gjithë e gjithë regjia e strategjisë radikale të opozitës u pa si një dorë e Sali Berishës dhe e Ilir Metës.

Ky i fundit i ka hedhur poshtë këto qëndrime dhe me forcë deklaron se djegia e mandateve e bojkoti i zgjedhjeve ishin dy kobe që kanë dalë nga dora e Lulzim Bashës, që çuan më pas në rrëzimin e opozitës.

Pra, me fjalë të tjera Meta kërkon të sqarojë opinionin, se Basha ka qenë pjesë e një “plani djallëzor” që luhej nga amerikanët e Edi Rama për të futur në kurth opozitën që të dalë nga institucionet, në mënyrë që PS të merrte mandatin e tretë më 25 prill.

Ja ta zëmë se kjo logjikë edhe qëndron, por Ilir Meta i ka pasur të gjitha mekanizmat për ta bërë të mos funksionojë “plani djallëzor”.

Në lidhje me djegien e mandateve, Ilir Meta mund të bindte Bashën e Kryemadhin që të tërhiqeshin, e nëse nuk bindeshin të dy, të paktën LSI do t’ja dëgjonte fjalën padyshim. Mjaftonte një dalje direkte në media, duke e konsideruar një rrezik që nuk duhet ta bëjë as Basha e as Kryemadhi, sa ajo gjëja nuk do të kishte ndodhur.

Të gjithë përkrahësit mediatikë të Metës, tre nga të cilët ishin mbrëmë në emisionin që aid ha intervistën, kanë qenë në çdo panel në 2019 duke mbrojtur jo vetëm djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve, por edhe skenare të “revolucionit të dhunshëm” ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Disa madje flisnin për një rikthim të vitit 1997. Duket si pak për tu besuar se i gjithë ky detachment që sot sulmon Bashën e mbron Metën e Berishën, në 2019, kreu i PD i paska futur trutë e gomarit, për t’i bindur se ai e ka të qepur strategjinë e tij.

Për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, gjithashtu Ilir Meta, thjesht të mos i hidhte benzinë zjarrit me dekretin e tij çdekretues, e të bënte thirrje që opozita të merrte pjesë në zgjedhje, gjithçka do të ishte ndryshe.

Por në rastin më të mirë, pra nëse është e vërtetë skenari që thotë Meta se ai ka qenë kundër realisht dhe vendimin e kobshëm Basha e mori me kokën e vet, duhet thënë se Metës, Berishës dhe detashmentit sulmues mediatik thjesht i ka shijuar, në mos kanë qenë edhe ata pjesë e një plani që e kanë diskutuar një vit përpara se ta zbatonin. Sidomos pas dështimit të dhjetorit 2018 me protestat e studentëve.

Logjikisht alibia e Metës nuk qëndron, përndryshe sikur ta kishte seriozisht, aim und të bënte aktin e sakrifikimit, duke u larguar nga Presidenca mjafton që të hapte një proces politik, për të ndaluar atë që ndodhi. Por natyrisht ka edhe mjaft rrugë të tjera që mund të ndiqeshin.