Prej disa ditësh në vend ka qarkulluar një lajm sipas të cilit qeveria shqiptare ka nisur procedurat për të rritur më tej taksat mbi naftën. Sipas këtyre raportimeve, Ministria e Financave, përmes Drejtorisë së Koncesioneve, ka nisur procedurat për të dyfishuar tarifën e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve dhe kjo tarifë do t’i paguhej kompanisë koncesionare “Noa Control” nga shoqëritë e karburanteve.

Por burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se në 18 gusht të vitit 2021, shoqëria koncensionare “Noa Inspect ” sh.p.k ka parashtruar me shkrim kërkesën për ndryshimin e tarifës së shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matës të karburanit dhe gazit të lëngshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, thonë burimet, në tagrin e Autoritetit Kontraktues në kontratën e koncesionit, me anë të një Urdhri që mban datën 16.11.2021, ka ngritur një grup pune të kryesuar në nivel Zëvendësminitri me specialistë dhe ekspertë të fushës dhe titullarë të institucioneve të varësisë.

“Ky grup po punon për analizimin, shqyrtimin dhe arritjen në konkluzione nëse kërkesa e shoqërisë koncesionare duhet të merret në konsideratë ose jo.

Deri në këto momente, grupi i punës vijon zbatimin e procedures përkatëse rregullatore dhe nuk ka asnjë vendimmarrje për rritjen e tarifës, as konkluzione të tjera konkrete që do duhet t’ja paraqesë titullarit të institucionit” – thonë burimet.

Pra bëhet fjalë për një shqyrtim kërkese që vjen nga kompania dhe jo një procedurë, aq më pak vendim, për rritjen e tarifës. Ndaj, edhe lajmet për rritjen e taksave që rëndojnë konsumatorin, me sa duekt janë të pavërteta dhe keqinformuese.

Dhënia me koncension e shërbimit të kontrollit ligjor të instrumentave matës dhe gazit të lëngshëm për një periudhë 20-vjecare është miratuar në vitin 2018 me një Vendim të Këshillit të Ministrave.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në 2019 ka lidhur kontratën e koncesionit me shoqërinë “Noa Control” sh.p.k si koncesionari dhe “Noa Inspect” sh.p.k në rolin e shoqërisë Koncesionare.

Që prej datës 31 mars 2020, kjo kompani kryen shërbimin e kontrollit ligjor të instrumentave matëse nëpërmjet verifikimit të instrumentave shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, ku përfshihet verifikimi fillestar, verifikimi pasardhës dhe verifikimi pa tarifë jashtë frekuencës së zakonshme (auditet)./Javanews