Nga Eduard Zaloshnja/

Gjatë 12 muajve të parë të administratës Biden, numri i të punësuarve në ekonominë amerikane është rritur me 6.6 milionë. Rekord historik ky (si në vlerë absolute, edhe relative), me diferencë jashtëzakonisht të madhe për vitin e parë të çdo administrate amerikane deri më sot. Gjatë kësaj periudhe, papunësia ka pësuar një rënie prej 2.4 pikë përqindje – edhe ky një rekord gjigand historik për vitin e parë të çdo administrate amerikane deri më sot.

Por ndërkohë, kuota e Presidentit Biden në sondazhin Gallup (40%) është më e ulta pas 12 muajve të parë në pushtet (përveç asaj të Presidentit Trump, 35%), qysh kur Gallup filloi para 86 vjetësh sondazhet e opinionit mbi miratimin e punës së bërë nga presidentët amerikanë. (Kompania Gallup nuk bën asnjëherë sondazhe për llogari të partive politike apo të organizatave/mediave që kanë njëanësi politike).

Biden e filloi punën me kuotën e miratimit 57%, e tani ka zbritur në kuotën 40% (shihni grafikun shoqërues). Analistët e Gallup identifikojnë tre faktorë kryesorë për këtë rënie dramatike të kuotave Biden, pavarsisht shtimit gjigand të vendeve të punës gjatë 12 muajve të parë të qeveirsjes së tij.

1 – Rikthimi i Pandemisë Covid-19

Në qershor 2021, Biden e shpalli (me mburrje) të fituar luftën kundër pandemisë Covid-19, pasi administrata e tij i kishte shumfishuar përpjekjet për vaksinimin masiv dhe për zbatimin e masave anti-covid. Numrat e infeksioneve në SHBA arritën atëherë dyshemenë statistikore. Ndërkohë Biden e kishte kuotën e miratimit 56% në sondazhin Gallup. Ende në tavanin e miratimit për të…

Por me kalimin e muajve, pas shfaqjes së variantit Delta të Covid-19, e më pas të variantit Omikron, shifrat e infeksioneve me Covid-19 dhe të shtrimeve në spital u bënë alarmante. Dhe ka një korelacion të fortë statistikor negativ mes këtyre shifrave dhe kuotave Biden…

2 – Afganistani

Deri në tërheqjen dramatike të trupave amerikane (etj.) nga Afganistani, të anketuarit në sondazhet Gallup i jepnin nota të larta administratës Biden për kompetencën në mardhëniet ndërkombëtare. Por pas skenave të dhimbshme të evakuimit nga aeroporti i Kabulit, të transmetuara 24/7 në televizionet informative amerikane, notat në sondazhet Gallup ranë edhe në këtë fushë. E në të njëjtën kohë, ranë edhe kuotat Biden…

3 – Inflacioni

Pas karantinave të forta kundër Covid-19, që u aplikuan në shumë vende të botës, sistemet globale të furnizimeve (duke filluar nga furnizimi me qarqe të integruara elektronike të prodhuara në Azi e deri tek lëndët e para natyrore kudo në botë) pësuan një tronditje të fortë. Si rezultat, u rrit kostoja e prodhimit pothuaj në të gjithë gamën e produkteve amerikane (dhe të të gjitha produkteve të tjera, në fakt).

Në muajt e parë, Administrata Biden e konsideroi këtë një problem kalimtar, që do të zbutej me zbutjen e pandemisë. Por me ringritjen e kokës së Covid-19 (në formën e varianteve Delta e Omikron), problemi i rritjes së kostove të prodhimit vazhdoi. E si rezultat, në muajt e fundit ka patur një rritje të përgjithshme të çmimeve (inflacion) në SHBA (e jo vetëm). Duke mos e ulur nivelin e parasë në qarkullim deri më sot, Banka Qendrore e SHBA-së nuk ka ndihmuar për uljen e inflacionit. Nga ana tjetër, administrata Biden, përkundër premtimeve, nuk i ka zbutur problemet globale të furnizimeve për kompanitë amerikane.

Si rrjedhojë, vërejnë analistët e Gallup, kanë rënë kuotat e Administratës Biden për menaxhimin e ekonomisë. Dhe kuptohet, kanë rënë edhe kuotat personale të Presidentit Biden…