Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero deklaroi sot se, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit dhe data e Konferencave Ndërqeveritare duhet të përcaktohet sa më parë.

Në një intervistë për Report Tv, Pisonero tha se “është thelbësore që vendet anëtare të BE-së të përfundojnë diskutimet mbi Kornizat Negociuese pa vonesa të mëtejshme dhe që konferencat e para ndërqeveritare me të dyja vendet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ajo theksoi se “si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit”.

Pisonero siguroi se “Komisioni do të mbetet në kontakt me të gjitha palët përkatëse dhe do të punojë me Presidencën e ardhshme franceze për të arritur qëllimin tonë të përbashkët për fillimin zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, vonesat në nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po ndikojnë negativisht në besueshmërinë e BE-së. Çështjet dypalëshe në pritje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen si çështje prioritare dhe nuk duhet të pengojnë procesin e zgjerimit. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe në pritje”, tha Pisonero.