Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është nisur drejt SHBA, për të marrë pjesë në debatin e hapur në Këshillin e Sigurimit me temë Gratë, Paqja dhe Siguria.

Debati zhvillohet në nivel ministror dhe do të fokusohet tek dhuna ndaj grave për shkak të angazhimit të tyre në proceset e paqes dhe sigurisë. Kjo është hera e parë që Ministrja Xhaçka merr pjesë në një event të Këshillit të Sigurimit, si përfaqësuese e Shqipërisë, që prej 1 janarit 2022 anëtare e KS të OKB.

Debati kryesohet nga Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, znj. Anniken Huitfeldt dhe të ftuar për të informuar Këshillin mbi këtë çështje janë Komisionerja e Lartë e OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Michelle Bachelet dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Dhuna ndaj grave aktiviste të të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile dhe aktet e hakmarrjes ndaj tyre nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetëror në zona konflikti vazhdon të mbetet një problem shqetësues.

Në raportin e SP mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë shprehet shqetësim për rritjen e këtyre sulmeve dhe theksohet se si pasojë e tyre gratë aktiviste përjashtohen dhe nuk mund të marrin pjesë në proceset e rëndësishme politike dhe të paqendërtimit.